Jehona Lushaku reagon ndaj akuzave për qëndrim ndaj mërgatës

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar përmes një postimi, ku ka kritikuar ashpër, siç i ka quajtur ajo, “mashtruesit e dëshmuar politik”, duke i akuzuar për përdorimin e një gjuhe “fyese e linçuese” ndaj LDK-së dhe për tentimin për ta paraqitur partinë e saj si kundër mërgatës.

Lushaku ka theksuar se polemikat kryesore lidhen me mënyrën e votimit të mërgimtarëve, duke theksuar se vota duhet të zhvillohet vetëm në ambiente zyrtare dhe të garantuara nga shteti.

“Problemin kryesor e paskan që mërgata duhet me votu në ambasada. Këta dojnë me votu në salla dasmash e banesa të militantëve. Vota është e shenjtë dhe meriton mbrojtje shtetërore”, ka deklaruar ajo.

Deputetja ka shtuar se, sipas saj, kundërshtimet ndaj votimit në ambasada përfaqësojnë tendenca për të cenuar rregullat shtetërore. “Këta nuk e duan shtetin me rregulla, prandaj dëshirojnë t’i prishin rregullat për ta prishur vet shtetin e Kosovës”, është shprehur ajo, duke theksuar se “shteti i Kosovës është i përjetshëm”.

Deputetja ka ritheksuar se vota e mërgimtarëve është “e shenjtë” dhe duhet të mbrohet nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Go to TOP