Baleti Kombëtar nesër performon në teatrin e Venecias

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës po mbajnë provat e fundit gjenerale për shfaqjen “Carmina Burana”, të cilën do ta sjellin në Teatrin Malibran në Venecia nesër.

“Atmosferë pune, përgatitje maksimale dhe emocion i madh para paraqitjes sonë në këtë skenë historike të Venecias”, thuhet në njoftimin e BKK-së.

Ata kanë thënë se kjo shfaqje nën koreografinë e Toni Candeloro do të krijojë një lidhje simbolike mes të kaluarës dhe së tashmes, me faktin që trupë e re europiane, nga një vend i ri në skenën botërore si Kosova do të performojë në një skenë 350-vjeçare ku kanë shkëlqyer emrat më të njohur të historisë së artit.

“Ky prezantim përfaqëson një hap të fortë kulturor për Kosovën në një nga qendrat më të vjetra të artit skenik në Evropë. Një dialog të bukur midis traditës veneciane dhe energjisë bashkëkohore të baletit kosovar dhe një moment historik për BKK, duke sjellë ‘Carmina Burana’ në një skenë me peshë të jashtëzakonshme artistike”, vazhdon njoftimi. /Kosova.info/


Go to TOP