LDK akuzon VV-në për manipulim: Bllokoi tri herë buxhetin dhe tani po shpall veten hero

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar sot me një komunikatë të ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje duke e akuzuar për “mashtrim politik” dhe tentim për t’i ikur përgjegjësisë në lidhje me procesin e bartjes së të hyrave vetanake të Prishtinës.

Sipas LDK-së, VV po përpiqet t’i atribuojë vetes meritën për një proces të cilin, sipas dokumenteve zyrtare, e ka bllokuar në tre seanca radhazi. “Dokumentet flasin qartë: më 21 maj, 12 qershor dhe 27 qershor 2025, bartja e të hyrave vetanake ka dështuar sepse asamblistët e Vetëvendosjes votuan kundër,” thuhet në komunikatë.

LDK thekson se për pasojë qytetarët janë përballur me paralizim të pagesave për shërbime esenciale dhe vështirësi në funksionimin e kryeqytetit. Sipas partisë, VV tash po përpiqet të krijojë përshtypjen se ka “zhbllokuar” një situatë që vetë e shkaktoi. “Ky është modeli i tyre politik: krijo krizë, godit qytetin, pastaj shpall veten hero. Një paturpësi e pastër politike,” thuhet më tej.

Në deklaratë, LDK thekson se ajo ka qenë e vetmja që ka mbrojtur stabilitetin financiar të Prishtinës në çdo seancë, ndërsa Vetëvendosja, siç pretendohet, ka vepruar sistematikisht kundër interesit të qytetit për përfitime partiake. “Nuk ka asnjë fakt, asnjë votë dhe asnjë procesverbal që e mbështet narrativen e tyre,” deklaron subjekti duke sqaruar se të gjitha dokumentet dëshmojnë bllokimin e VV-së.

Komunikata përfundon me një thirrje drejtuar qytetarëve të Prishtinës që të mos bien pre e propagandës duke i cilësuar përfaqësuesit e VV-së si “pengmarrësit e kryeqytetit”. LDK zoton se do të vazhdojë mbrojtjen e interesit të Prishtinës “me vendosmëri dhe integritet” duke mos lejuar, siç thuhet, që kryeqyteti të bjerë viktimë e taktikave të rrezikshme politike të Vetëvendosjes. /Kosova.info/


Go to TOP