KQZ thirrje qytetarëve: Kontrolloni adresat zyrtare të vendbanimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë thirrje qytetarëve që të kontrollojnë adresën zyrtare të vendbanimit në E-Kosova.
Kjo, sipas KQZ-së duke pasur parasysh ankesat dhe vërejtjet që, sipas tyre, në disa raste janë paraqitur publikisht nga qytetarët gjatë procesit lokal zgjedhor lidhur me Qendrat e Votimit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të kontrollojnë adresën e tyre zyrtare të vendbanimit në platformën E-Kosova (Adresa > Deklarimi i adresës zyrtare të vendbanimit). Qytetarët njoftohen se adresa zyrtare që u figuron në E-Kosova, tregon njëkohësisht komunën në të cilën janë caktuar të votojnë në zgjedhje”, thotë KQZ-ja.
Andaj, KQZ u ka bërë thirrje votuesve të cilët kanë pasur ankesa ose pakënaqësi në zgjedhjet e kaluara lidhur me Qendrën e Votimit se nëse dëshirojnë të votojnë në komunën ku realisht jetojnë dhe në Qendrën e Votimit më të përshtatshme, duhet patjetër ta përditësojnë adresën e tyre zyrtare të vendbanimit.
“Ndryshimet të cilat do të bëhen nga 26 nëntor deri më 6 dhjetor, do të reflektohen në platformën elektronike të KQZ-së https://qv.kqz-ks.org pas kësaj periudhe”, thuhet në njoftimin e KQZ-së. /Kosova.info/
