Behrami: Faqja e regjistrimit të votuesve jashtë vendit jashtë funksionit – Rrezikohet procesi, Martini mund t’i fusë duart në vota
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar ashpër pas mosfunksionimit të faqes zyrtare për regjistrimin e votuesve jashtë vendit, pikërisht në ditën kur procesi pritej të niste.
Behrami tha se ky problem teknik që shfaqet që në fillim të procedurave ngrit dyshime serioze për integritetin e procesit zgjedhor dhe se, sipas tij, hap rrugë për manipulime të qëllimshme.
“Paramendo, sot ka pasë me fillu procesi i regjistrimit të votuesve jashtë vendit. Dhe deri në këto çaste, faqja që mundëson fillimin e procedurave të regjistrimit është jashtë funksionit. Nëse ky proces fillon me ‘gabime teknike’, paramendo çka bën Martini me fletëvotime”, ka deklaruar Behrami duke aluduar në rrezikun e ndërhyrjeve në votat e diasporës.
Ai shtoi se, sipas PDK-së, ekziston qëllim i qartë nga ana e institucioneve për të ndërhyrë në proces, prandaj apeloi për mobilizim maksimal.
“Këta e kanë bërë nijet t’i fusin duart sërish në vota. Prandaj, duhet një koncentrim dhe angazhim maksimal i të gjithëve”, përfundoi deputeti. /Kosova.info/
