AKB dhe ish-Kryeministri Hoti vizitojnë “Euro Metal” në Ferizaj, theksojnë përkrahjen për prodhimin vendor në Javën e Bizneseve Kosovare 2025
Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Bizneseve Kosovare 2025, një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), i udhëhequr nga kryetari z. Agim Shahini, së bashku me ish-Kryeministrin e Kosovës, z. Avdullah Hoti, realizuan sot një vizitë pune në fabrikën për përpunimin e çelikut “Euro Metal” në Ferizaj, pronë e z. Njazi Musliut.
Gjatë vizitës, kryetari i AKB-së, z. Agim Shahini, vlerësoi rëndësinë strategjike të prodhimit vendor për ekonominë e Kosovës duke theksuar se kompanitë si “Euro Metal”, me mbi 70% të prodhimit të tyre të eksportuar, po kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zvogëlimin e deficitit tregtar të vendit.
“Prodhimi vendor është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Jemi këtu për të falënderuar kompaninë ‘Euro Metal’, e cila me aktivitetin e saj po ndihmon fuqishëm ekonominë kombëtare,” deklaroi Shahini.
Ish-Kryeministri Avdullah Hoti duke vlerësuar punën e bizneseve prodhuese, theksoi se mbështetja e tyre duhet të jetë prioritet i qeverive në Kosovë.
“Mbështetja e prodhimit vendor do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisë së ardhshme. Bizneset prodhuese janë motor i rritjes ekonomike dhe punësimit në vend,” u shpreh Hoti.
Nga ana e tij, pronari i “Euro Metal”, z. Njazi Musliu, falënderoi delegacionin për vizitën dhe për vëmendjen e treguar ndaj sfidave të sektorit prodhues. Ai ngriti shqetësimin kryesor të industrisë, koston e lartë të energjisë elektrike.
“Çmimi i energjisë elektrike është rritur mbi 200% dhe kjo na ka nxjerrë jashtë konkurrencës reale në tregjet ndërkombëtare,” deklaroi Musliu.
Në përmbyllje të vizitës, delegacioni i AKB-së u zotua se shqetësimet dhe rekomandimet e prodhuesve do të adresohen në politikat ekonomike dhe në platformat e bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve. /Kosova.info/
