Policia nis fushatë në shkolla për parandalimin e trafikimit me njerëz
Policia e Kosovës ka zhvilluar një fushatë të gjerë informuese nëpër shkolla të vendit, me qëllim parandalimin e trafikimit me njerëz dhe rritjen e vetëdijes tek të rinjtë për këtë fenomen gjithnjë shqetësues.
Sipas njoftimit, gjatë periudhës 18 tetor – 18 nëntor 2025, zyrtarët nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore kanë mbajtur ligjërata edukative në 49 shkolla fillore dhe të mesme, në të gjitha rajonet e Kosovës. Në këto sesione kanë marrë pjesë rreth 1585 nxënës, së bashku me profesorët e tyre.
“Qëllimi ynë është edukimi i nxënësve për fenomenin e trafikimit të njerëzve dhe formave të shfrytëzimit, si dhe nxitja e raportimit të hershëm të rasteve,” ka bërë të ditur Policia e Kosovës në komunikatë.
Ligjëratat, të zhvilluara në kuadër të ‘Strategjisë Kombëtare kundër Trafikimit me Njerëz’ dhe Planit të Veprimit, kanë përfshirë tema mbi rreziqet e trafikimit, metodat e rekrutimit, mbrojtjen e viktimave dhe rolin e institucioneve.
Policia ka nënvizuar se sensibilizimi nuk është fokusuar vetëm te nxënësit. Në bashkëpunim me koordinatorët e prokurorive themelore, drejtoritë komunale të arsimit, mbrojtësin e viktimave, QPS-në, Shërbimin Sprovues dhe organizatat joqeveritare, janë mbajtur ligjërata edhe për profesorët e shkollave të Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit.
“Bashkëpunimi me mësimdhënësit është thelbësor për identifikimin dhe referimin e rasteve të mundshme,” thekson Policia.
Fushata pritet të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, me fokus të veçantë te edukimi preventiv dhe përfshirja e komunitetit shkollor në luftën kundër trafikimit me njerëz. /Kosova.info/



