Haaland afër një tjetër rekordi historik në Premier League
Erling Haaland është shumë afër të shkruajë historinë e Premier League.
Nëse norvegjezi shënon sot kundër Newcastle, ai do të bëhet lojtari i 35-të që arrin shifrën e 100 golave në kampionatin anglez.
Sulmuesi i Manchester Cityt po kalon edhe një sezon të jashtëzakonshëm, duke regjistruar tashmë 14 gola. Me ritmin që ka mbajtur që nga transferimi në Angli, shumë ekspertë besojnë se rekordi i legjendës Alan Shearer (260 gola) është potencialisht i arritshëm, nëse Haaland vendos të qëndrojë gjatë në Premier League.
Një gol sot do ta vendoste Haalandin në nivel me ish-yllin e Southampton, Matt Le Tissier. Ndërkohë, për norvegjezin duket vetëm çështje kohe që të kalojë emra të mëdhenj të historisë së ligës si Cristiano Ronaldo (103 gola), Didier Drogba (104) dhe Paul Scholes (107).
Forma e tij e jashtëzakonshme vazhdon ta vendosë Haalandin në rrugën drejt thyerjes së shumë rekordeve të tjera në vitet që vijnë.
