ZKA: MKRS nuk ka arritur të menaxhojë si duhet realizimin e projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore

Zyra Kombëtare e Auditivit (ZKA) të mërkurën publikoi raportin e auditivit të  pajtueshmërisë “Menaxhimi i projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore në Ministrinë e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit (MKRS)” për periudhën 2022 – 2024. Auditivi ka vlerësuar nëse menaxhimi i projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore është zhvilluar në pajtim me ligjin dhe rregulloret, si dhe nëse fondet publike janë përdorur për qëllimet e planifikuara.

Ndonëse MKRS për periudhën 2022–2024 kishte planifikuar buxhet në vlerë prej 27,153,500 euro, prej tyre vetëm 10,891,418 i kishte realizuar duke treguar nivel të ulët të shpenzimit të buxhetit për këto tri vite.

Auditivi konstaton se Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit (MKRS) nuk ka arritur të menaxhojë në mënyrë të duhur realizimin e projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore si dhe nuk ishte në pajtueshmëri të plotë me kërkesat ligjore dhe kontraktuale për menaxhimin e këtyre projekteve.

Procesi i auditivit ka evidentuar se MKRS ka angazhuar staf të pa licencuar në mbikëqyrjen e projekteve dhe menaxhimin e kontratave nuk e ka bërë përmes Sistemit Elektronik të Prokurimit (E-prokurimi). Po ashtu auditivi vë në pah mangësi në hartimin e projekteve ekzekutive,  në mbajtjen e ditarëve të punës dhe librave ndërtimor, vonesa në realizimin e kontratave si dhe mungesë të garancive për punimet pas pranimit teknik.

Lidhur me këtë auditiv, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se  mangësitë e evidentuara nga auditivi ndikojnë në efektivitetin e projekteve, rrezikojnë cilësinë dhe sigurinë e punimeve si dhe tregojnë nevojën për forcimin e kontrolleve të brendshme, respektimin e procedurave ligjore dhe rritjen e mbikëqyrjes profesionale.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë gjashtë rekomandime për përmirësimin e procesit të menaxhimit të projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore, me qëllim rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit në përdorimin e fondeve publike.

Raportin e plotë të auditimit të pajtueshmerisë “Menaxhimi i projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS)” e gjeni këtu. /Kosova.info/


Go to TOP