AUV vendos ndalesë të pjesshme për importin e shpezëve nga disa rajone të Gjermanisë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar importin e shpezëve dhe nënprodukteve të tyre nga disa zona të Gjermanisë, raporton Kosova.info.

AUV ka bërë të ditur se ka plotësuar dhe ndryshuar vendimin e mëparshëm, duke shfuqizuar ndalesën e 30 tetorit, por duke rikthyer kufizimet për rajonet ku janë konfirmuar shpërthime të gripit të shpezëve. Institucioni është mbështetur në raportet më të fundit të WOAH, Komisionit Evropian dhe autoriteteve veterinare gjermane.

Importi nga Gjermania lejohet vetëm për zonat jo të prekura. Kufizimet vlejnë për Lower Saxony, Bavaria, Brandenburg, Baden-Württemberg, North Rhine-Westphalia, Thuringia, Mecklenburg-Western Pomerania dhe Schleswig-Holstein, pasi në disa ferma të këtyre rajoneve është konfirmuar serotipi HPAI–H5N1. Nga këto zona ndalohet çdo dërgesë me shpezë të gjalla, mish shpezësh dhe nënprodukte që kanë origjinën aty.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe mbetet aktiv derisa të ketë një vlerësim të ri nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare. AUV thotë se monitorimi epidemiologjik do të vazhdojë pa ndërprerje dhe se çdo ndryshim i situatës do t’u komunikohet publikut dhe operatorëve ekonomikë në kohë./Kosova.info./

Go to TOP