Resuli: Shqipëria pret Asamblenë e Përgjithshme të FVE 2028 – Ngjarja më e madhe veterinare në Europë vjen për herë të parë në vendin tonë
Presidenti i UPMVSh-së, Ervin Resuli, ka njoftuar se Shqipëria ka depozituar zyrtarisht kërkesën për të pritur Asamblenë e Përgjithshme të Federatës së Veterinerëve të Europës (FVE) në pranverën e vitit 2028 – një ngjarje historike për vendin dhe profesionin veterinar.
Me mbështetjen e pakufizuar të Presidentit të FVE, z. Siegfried Moder, Shqipëria synon të bëhet mikpritëse e forumit më të madh kontinental të shkencës veterinare, ku marrin pjesë:
🔹 Veterinerët e Europës (43 vende anëtare + 1 vëzhgues)
🔹 Të gjitha seksionet kryesore të FVE: UEVP, UEVH, EASVO, EVERI
🔹 Shoqatat Amerikane, Kanadeze dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë
🔹 Organizatën Botërore të Veterinerëve (WVA)
Nëse miratohet, kjo do të jetë hera e parë në histori që Shqipëria pret këtë forum global duke e vendosur vendin në qendër të hartës ndërkombëtare të veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe shëndetit publik.
Viti 2028 merr një simbolikë të veçantë, pasi përkon me 100-vjetorin e themelimit të Mjekësisë Veterinare në Shqipëri – një shekull dedikim, shkencë dhe shërbim ndaj mirëqenies së kafshëve dhe shëndetit publik.
“Shqipëria do të shndërrohet në qendrën e vëmendjes së botës veterinare duke vendosur një standard të ri profesional dhe shkencor,” theksoi Resuli duke e cilësuar këtë si Vit i Artë i Veterinarisë Shqiptare. /Kosova.info/
