INPO: KQZ nuk ka kërkuar raportin e auditivit digjital në kontratën me CETIS duke lënë boshllëqe në sigurinë e fletëvotimeve

Organizata INPO, në kuadër të monitorimit të integritetit të prokurimit publik dhe debatit lidhur me problemet me fletëvotimet e kontestuar, ka publikuar një analizë të detajuar mbi kontratën ndërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe kompanisë CETIS d.d. nga Sllovenia, e cila ka realizuar shtypjen e fletëvotimeve, broshurave dhe listave të votuesve për Zgjedhjet Lokale 2025.

Sipas INPO-s, KQZ-ja kishte kërkuar që operatori ekonomik të posedojë certifikatat ndërkombëtare të sigurisë ISO 9001, ISO 14298 dhe ISO 27001 – standarde që përfshijnë sistemin e kontrollit dhe gjurmueshmërisë digjitale të dokumenteve të sigurisë (audit trail digital). Ky sistem mundëson ndjekjen elektronike të çdo fletëvotimi nga momenti i shtypjes deri në dorëzimin përfundimtar.

Megjithatë, analiza thekson se, ndonëse këto certifikata janë kërkuar në tender, në kontratën përfundimtare KQZ nuk ka përfshirë detyrimin që operatori ekonomik të dorëzojë raportin e auditivit digjital – dokument i cili do të mundësonte verifikimin teknik të procesit të shtypjes dhe identifikimin e menjëhershëm të çdo defekti.

Në një letër zyrtare të datës 11 nëntor 2025, kompania CETIS ka pranuar se defekti në numërimin e fletëvotimeve për komunat Mitrovicë e Jugut dhe Gjakovë është shkaktuar nga mosfunksionimi i një prej kokave të printerit që shtypte numrin e qendrës së votimit. CETIS sqaroi gjithashtu se sistemi i saj i kontrollit të cilësisë bazohet në verifikime me mostra dhe se “gabimi nuk është zbuluar gjatë procesit të shtypjes”, për shkak të mungesës së monitorimit të vazhdueshëm të serive.

Ky sqarim, sipas INPO-s, konfirmon se sistemi i auditimit digjital nuk është zbatuar praktikisht, pavarësisht se është pjesë thelbësore e standardit ISO 14298. Si rrjedhojë, KQZ nuk ka pasur raport teknik që do të ndihmonte në identifikimin e saktë të fazës ku ndodhi defekti – gjatë shtypjes, paketimit apo transportit.

INPO thekson se përgjegjësia institucionale për sigurimin e funksionalitetit të sistemit të auditivit digjital bie mbi KQZ-në, dhe se mungesa e këtij raporti përbën një boshllëk serioz në kontrollin e cilësisë dhe gjurmueshmërisë së materialeve zgjedhore. Organizata shton se nëse ky sistem do të ishte aktiv, gabimet teknike do të ishin eliminuar dhe do të shmangeshin çdo dyshim për manipulim apo cenim të vullnetit të qytetarëve.

Në këtë kontekst, INPO i bën ftesë publike Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) që të zhvillojë një auditiv të plotë të kontratës KQZ–CETIS, me qëllim vlerësimin e zbatimit të standardeve ISO, përputhshmërisë me Ligjin për Prokurim Publik dhe shkallës së mbikëqyrjes së ushtruar nga KQZ.

“Sqarimi i plotë i kësaj çështjeje është thelbësor për rikthimin e besimit publik në integritetin e procesit zgjedhor dhe transparencën e institucioneve përgjegjëse”, thuhet në reagimin e INPO-s.

Organizata thekson se rasti i Mitrovicës nuk mund të trajtohet thjesht si një “defekt teknik”, por si një dështim në zbatimin e mekanizmave të sigurisë dhe gjurmueshmërisë që janë themel i çdo procesi zgjedhor të besueshëm. INPO ka paralajmëruar se do të vazhdojë monitorimin e veprimeve të institucioneve përgjegjëse deri në zbardhjen e plotë të rastit. /Kosova.info/

Go to TOP