George Orwell do ta kishte zili Memli Krasniqin

Shkruan: Astrit Gashi

Në vitin 1949, George Orwell botoi romanin 1984, një nga veprat më të fuqishme të shekullit XX. Ky roman ishte një paralajmërim për botën se çfarë ndodh kur dikush kontrollon jo vetëm jetën e qytetarëve, por edhe mënyrën se si ata mendojnë.

Në roman, shoqëria drejtohet nga një regjim totalitar i udhëhequr nga “Vëllai i Madh” një figurë mitike që sheh gjithçka, dëgjon gjithçka dhe vendos çfarë është e vërtetë.

Aty, faktet nuk maten me numra, por me urdhra. Në Ministrinë e së Vërtetës, punonjësit rishkruajnë historinë çdo ditë për ta përshtatur me versionin zyrtar të Partisë. Nëse dje armiku ishte një shtet, sot është tjetri dhe askush nuk guxon të kujtojë ndryshe. Nëse dje “dy e dy bëjnë katër”, sot “dy e dy bëjnë pesë” sepse kryetari kështu tha.

Por në Kosovën e vitit 2025, ky roman i Orwellit nuk është më një paralajmërim është një realitet politik që luhet çdo ditë nga Memli Krasniqi dhe trupa e tij e servilëve politikë, të cilët e kanë kthyer PDK-në në një skenë teatrale ku e vërteta luhet, jo thuhet.

Në vend që lideri të mbajë përgjegjësi pas çdo disfate, ai del në skenë me buzëqeshje artificiale, ndërsa duartrokitjet vijnë nga ata që kanë humbur çdo ndjenjë dinjiteti politik sepse se perfaqsojnë askend!

Në këtë version kosovar të “Ministrisë së së Vërtetës”, humbja quhet fitore, dështimi quhet “moment reflektimi”, ndërsa militantët e lodhur shndërrohen në oratorë të gënjeshtrës kolektive.

Kur kandidati i tyre humbi në bastion e tyre, në vend që të kërkohej dorëheqje, ushtria e servilëve shpalli “fitoren morale”, sikur humbja të ishte shpikje e kundërshtarëve.

Ashtu si në botën e Orwellit, edhe këtu e vërteta nuk matet me numra, por me deklarata të shefit. Nëse dje humbja ishte dështim, sot është “moment krenarie”. Nëse dje dy e dy bëjnë katër, sot dy e dy bëjnë pesë sepse Memli kështu tha.

PDK-ja e sotme është një laborator politik ku realiteti riformatohet çdo mëngjes, ku njerëzit më të paaftë promovohen për besnikëri, dhe ku e vetmja gjuhë e pranuar është gjuhë e lavdërimit të liderit. Një parti që dikur udhëhiqte proceset e mëdha të shtetndërtimit, sot nuk arrin të udhëheqë as reflektimin e vet. Ku njerzit më të mirë luftohen nga çakojt e porositur duke vlersuar vëtem ata që thonë dy e dy bejnë pesë.@

Në këtë teatër të lodhur politik, Orwelli do të duartrokiste me trishtim sepse ajo që ai imagjinoi si makth, ne Kosovën tonë e kemi kthyer në realitet./Kosova.info/

Go to TOP