LDK shpallet fituese në 7 komuna – Abdixhiku: Kosova foli me votë, me shpresë e me dinjitet
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve lokale, duke e cilësuar ditën e djeshme si një moment të rëndësishëm për demokracinë në vend.
“Sot, Kosova foli. Foli me votë, me besim dhe me qartësi. Foli në emër të shpresës, të qetësisë dhe të punës”, ka shkruar Abdixhiku, duke theksuar se qytetarët zgjodhën përtej përçarjeve dhe fyerjeve.
Ai ka njoftuar se LDK ka fituar në 7 komuna të vendit, përfshirë edhe Prishtinën, të cilën e cilësoi si garën më të rëndësishme. “Jemi parti e parë në Kryeqytet pas 12 vitesh, e kjo fitore dy herë radhazi është shenjë. Ky rezultat është sinjal i një force që qëndron, rritet dhe forcohet”, ka thënë ai.
Abdixhiku falënderoi kandidatët fitues dhe shprehu mirënjohje për ata që nuk ia dolën në këtë garë. “Xhafë, Arbër, Besnik e Ardian, na keni bërë krenarë me punën dhe dinjitetin tuaj. Betejat vazhdojnë”, shtoi ai.
Kreu i LDK-së tha se fitorja erdhi pa aparat shtetëror, pa interesa klanore dhe me mbështetjen e qytetarëve që besuan në ide dhe punë. “LDK ka fituar me ndershmëri, me përkushtim dhe me njerëzit më të mirë që ka ky vend”, deklaroi ai.
Në mesazhin e tij, Abdixhiku u është drejtuar edhe atyre që nuk e votuan LDK-në. “Demokracia është për të gjithë, dhe Kosova është për të gjithë. Ne nuk fitojmë për të ndarë, por për të bashkuar. Pushteti është përgjegjësi, jo privilegj”, ka shkruar ai.
Sipas tij, fituesit e LDK-së nga sot janë kryetarë të të gjithë qytetarëve, pa dallim bindjesh politike. “Ky është misioni ynë – të ndërtojmë një qeverisje që punon, që dëgjon dhe që respekton”, ka përfunduar Abdixhiku, duke e quajtur rezultatin e zgjedhjeve “një natë shprese dhe një fillim të mbarë për Republikën e Kosovës.”/Kosova.info/
