Krasniqi nga Mitrovica: Ky qytet i krenarisë do ta zgjedhë njërin prej djemve të vet më të mirë – Arian Tahirin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka mbyllur fushatën zgjedhore në Mitrovicë me një tubim madhështor, ku theksoi frymën e bashkimit dhe vendosmërinë e qytetarëve për ta përkrahur kandidatin e PDK-së për kryetar të komunës, Arian Tahirin.

Në një atmosferë që ai e quajti “të jashtëzakonshme”, Krasniqi u shpreh se Mitrovica është qytet i krenarisë, punës dhe dinjitetit, dhe se nesër mijëra qytetarë do të dëshmojnë këtë shpirt përmes votës së tyre.

“Mitrovica me Arianin! Nesër, mijëra qytetarë të Mitrovicës, të udhëhequr nga një frymë e fortë bashkimi, besimi dhe shprese, do të dalin për të votuar Arian Tahirin si kryetarin e tyre të ardhshëm,” tha Krasniqi.

Ai theksoi se Mitrovica është qytet që nuk thyhet, nuk frikësohet dhe nuk blihet duke kujtuar figurat historike dhe simbolike të saj.

“Ky është qyteti i Isa Boletinit e i Mehë Ukës, i Kadri Veselit e i Bedri Hamzës dhe tash, qyteti që do t’i japë besimin e vet njërit prej djemve të saj më të mirë – Arian Tahirit,” u shpreh Krasniqi.

Kreu i PDK-së falënderoi të gjithë qytetarët dhe aktivistët që kontribuan gjatë fushatës, përfshirë edhe ata që në raundin e parë votuan ndryshe, por që tani janë bashkuar për fitoren e përbashkët.

“Mirënjohje për çdo qytetar e aktivist që në raundin e parë ka votuar ndryshe, por që sot është bashkuar për fitoren e Arianit. Faleminderit nga zemra për këtë mbrëmje të jashtëzakonshme, Mitrovicë!” përfundoi Krasniqi. /Kosova.info/


Go to TOP