‘Ministri’ i çajit rusit, po kërkon me qeverisë Prishtinën!

Shkruan: Idriz MORINA

Derisa po rrija me një mik timin, i shqetësuar për trajtimin e trashëgimisë kulturore dhe vazhdimin e abuzimit nga vetë Ministria e Kulturës, e solli muhabetin, se si po financohen ojq-të, pa asnjë kriter.

Nuk i shqitej nga mendja, aso kohe, njëri nga marifetet e atëherë ministrit të Kulturës Hajrulla Çekut, (si e quanim nga mbiemri, derisa e kishte të fshehur atë zyrtar jo shqiptar – Çejko), ndërsa tani ministër në detyrë uzurpimi të Ministrisë së Kulturës, sipas urdhrave të Albin Kurtit, në shkelje kushtetuese dhe ligjore – uzurpues i Qeverisë.

Çfarë shembulli kulturor?

E para, sipas ‘mentalitetit’ të tij ka filluar garimin për një tregarësh. Përveç se tani është në garë për Prishtinën, sipas tij ai i ka të fituara me meritë dy gara, atë për qeveri-ministri, dhe atë për deputet, që po i mban njëkohësisht.

Pse mos me qenë edhe ministër, edhe deputet edhe kryetar i Prishtinës (bazuar në rrjedhën e ngjarjeve, nëse dalin pritshmëritë sipas deklarimeve politike, zgjedhjet mund të mbahen në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit, kuptohet nëse nuk e fiton bastin Presidentja)?! Çka është Kushtetuta, ta ….!

Kush e ndalon t’i ketë tri pushtete, dy të uzurpuara, një më shumë se Kurti! (Kjo do ta bënte pastaj shumë xheloz Kurtin dhe do ta nxiste për ndonjë të papritur, kur do ta shihte veten në “ujë” (narcizmi), se si u bë që një vartës i tij, shembull i obediencës të ketë një fuqi pushteti më të madhe, veçmas po ndodhi çudia, që ai të mbetet zëvendës i kipcit të tij politik, Glaukisë. Kush e ndalon? Kushtetuta a ta ….

E dyta si mund të tregojë shembull kulturor, kur një ministër kulture, që do të duhej të ishte si udhëzues kulturor – sjellja e tij, imazhi i tij, ndërsa ai është në kulmin e karrierizmit, uzurpues i Ministrisë së Kulturës, pasi më shumë se shtatë muaj më parë zgjodhi të certifikohej dhe betohej si deputetë, madje edhe me këtë rast për ta zbatuar Kushtetutën me devocion edhe kulturor. Kush e ndalon? Kushtetuta a… betimi a… t’i….

E treta një ministër kulture, që duhet të jetë një përfaqësues i denjë kulturor, si e kam theksuar në vende me trashëgimi të lashtë, të pasur kulturore, si Egjipti, ministri i Kulturës është para së gjithash një arkeolog me emër, një njohës i shkëlqyer i trashëgimisë kulturore, siç ishte arkeologu Zahi Havas.

Në këtë kontekst disa herë kam kërkuar që Shqipëria dhe Kosova, me trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore antike dhe paraantike, që i paraprin lindjes së qytetërimit helen dhe romak, dhe ia transmetuan botës për shekuj (edhe me Bizantin veçmas) duhet të përfaqësohen nga njohës të shkëlqyer – nëse jo nga një kërkues – hulumtues i lashtësisë sonë madhështore, vërtetë Madhështore, madje jo vetëm në dimensionin arkeologjik – monumenteve, por edhe gjuhësore, trashëgimisë së lashtë shpirtërore – e dokumentuar me prova gjenetike të autoktonisë – premordiale, me kanunin, letërsinë e famshme gojore, etnologjike etj.

Por, çfarë ngjet në kohën e Çekut/Çejkos, na shpallet çaji i rusit trashëgimi e jona kulturore, nga një projekt i rrejshëm i një ojq-je e financuar me pesë mijë euro nga Ministria e Kulturës!

Atëherë çfarë prisni nga ky dekulturim, zgjebosje e trashëgimisë sonë, të shkëlqimit tonë ende të pazbuluar në mënyrë meritore, edhe me mungesë investimesh, por edhe me faje të pushteteve dhe akademive tona.

Pra, ministri i Kulturës duhet të jetë një përfaqësues i denjë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, para se në atë politik, në atë kulturor, ligjor, kushtetues, shtetformues, vizionar për të ardhmen etj.

Çfarë kulture, ruajtje, konservim dhe meremetim të trashëgimisë kulturore pret nga dikush, që ende se ka “meremetuar” gojën e vet!

Ps. Edhe në këtë foto mund të shihet sikurse gjatë gjithë fushatës, se i mungojnë disa dhëmbë në anën e majtë!


Go to TOP