Murati: Mitrovica voton për bashkim, jo për ndarje – komentuesi: Tybe ministër, si bashkim kur paguhen dy kryetarë?
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë një thirrje publike në Facebook, duke e cilësuar votën e së dielës në Mitrovicë si vendimtare për bashkimin e qytetit dhe si një mesazh që shkon përtej kufijve të Kosovës.
“Mitrovica të dielën i ka dy opsione para vetes: me votu për subjektin që punoi për bashkim të qytetit, apo për subjektin që kishte hequr dorë nga veriu. Kësaj radhe, Mitrovica voton për ma shumë sesa veç për të parin e komunës. Vota e së dielës është mesazh që shkon edhe përtej kufijve tanë,” ka shkruar Murati.
Ai ka theksuar se nën drejtimin e Erden Atiqit, “u nis dhe u ndërtua ura që tash e bashkon qytetin”, duke shtuar se “për ta mbajtur urën hapur, garancia e vetme është që në bregun tjetër të Ibrit të jetë Faton Peci kryetar”.
Por një nga komentuesit e postimit, Hajdar Hajdari, e ka kundërshtuar deklaratën e ministrit me një reagim ironik: “Tybe ministër e me thanë i kemi bashku dy Mitrovicat, kur me dorë t’vet ua qet rrogat dy kryetarve e i paguan veç e veç asambleistat e dy Mitrovicave – qita s’po ma rrokë hiq,” ka shkruar ai. /Kosova.info/
