‘San Siro’ është i Milanit dhe Interit, ditë historike për futbollin italia

E mërkura e 5 nëntorit do të mbahet mend si një ditë historike për qytetin e Milanos dhe për futbollin italian.

Stadiumi ikonik “Giuseppe Meazza – San Siro” ka kaluar zyrtarisht në pronësi të dy klubeve më të mëdha të qytetit, AC Milan dhe Inter Milan.

Me nënshkrimin e aktit të shitjes, stadiumi dhe zonat përreth tij nuk janë më pronë e bashkisë, por tashmë i përkasin klubeve milaneze.

Kryetari i bashkisë, Giuseppe Sala, shpjegoi se vonesat në përfundimin e marrëveshjes erdhën për shkak të “problemeve teknike mes vetë klubeve, jo me Këshillin e Qytetit”, duke iu referuar çështjeve të brendshme financiare të Milanit dhe Interit.

Çmimi total i shitjes është 197 milionë euro, të cilat klubet do t’i paguajnë në disa këste. Kësti i parë, me vlerë rreth 100 milionë euro (përfshirë TVSH-në dhe një pjesë të borxheve të kaluara), pritet të derdhet pas sigurimit të garancive bankare. Vetëm pas transferimit të fondeve, procesi i shitjes do të konsiderohet i plotësuar.

Pas kësaj, do të nisë puna për projektin e stadiumit të ri, i prezantuar më herët në mars. Sipas planit, pritet ndërtimi i një stadiumi modern me 71,500 vende, që do të ngrihet në anën perëndimore të zonës aktuale. Ndërkohë, stadiumi aktual “Meazza” do të ruhet pjesërisht, duke u kthyer në muze dhe qendër tregtare.

Punimet pritet të nisin në vitin 2027, ndërsa stadiumi i ri parashikohet të jetë gati dhe funksional në vitin 2031.

Një epokë e re për Milanin, Interin dhe “San Siro” sapo ka nisur.

Go to TOP