David Beckham shpallet `Sir` nga Mbreti Charles
David Beckham është nderuar sot me titullin “Sir” nga Mbreti Charles gjatë një ceremonie solemne në Kalanë e Windsor-it, duke e cilësuar këtë si “momentin më krenar” të jetës së tij.
David Beckham është nderuar me titullin “Sir” nga Mbreti Charles gjatë një ceremonie solemne në Kalanë e Windsor-it, duke e cilësuar këtë si “momentin më krenar” të jetës së tij.
Ish-ylli i Manchester United dhe përfaqësueses së Anglisë ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, tashmë Lady Beckham, si dhe nga prindërit e tij, Ted dhe Sandra Beckham. Ai u nderua për kontributin e tij në sport dhe bamirësi, RAPORTON bbc.
Beckham, 50 vjeç, ishte veshur me një kostum gri me tre pjesë, të dizajnuar nga bashkëshortja e tij, Victoria Beckham, frymëzuar nga një kostum që Mbreti Charles kishte veshur në rininë e tij.
“Ishte diçka që ma bëri gruaja ime,” tha Beckham. “Pashë disa foto të vjetra të Mbretit Charles kur ishte i ri, me kostume të mëngjesit, dhe thashë ‘OK, këtë dua të vesh’ – kështu që ia dhashë idenë gruas sime, dhe ajo e realizoi.”
Duke folur për nderimin që mori, Beckham shtoi:
“Nuk mund të isha më krenar. Të gjithë e dinë sa patriot jam – e dua vendin tim. Gjithmonë kam theksuar sa e rëndësishme është monarkia për familjen time. Jam me fat që kam udhëtuar në gjithë botën, dhe njerëzit kudo më flasin për monarkinë tonë. Kjo më bën të ndihem krenar.”
Lady Beckham kishte marrë titullin OBE në vitin 2017 për kontributin e saj në industrinë e modës, ndërsa Sir David Beckham ishte nderuar më herët me të njëjtin titull në vitin 2003 për shërbime ndaj sportit.
Gjatë karrierës së tij, Beckham ka luajtur 115 ndeshje për Anglinë, si dhe për klube të mëdha si Manchester United, Real Madrid, LA Galaxy, Paris Saint-Germain dhe AC Milan, duke u tërhequr nga futbolli në vitin 2013.
Ai ka pasur rol kyç edhe në sigurimin e Lojërave Olimpike “Londra 2012”, ndërsa që nga viti 2005 është ambasador i UNICEF-it.
Në vitin 2024, Beckham u bë ambasador i “The King’s Foundation”, duke mbështetur programet arsimore të Mbretit Charles dhe nismat për të ndihmuar të rinjtë të zhvillojnë një kuptim më të thellë për natyrën dhe mjedisin.


