Kosova nënshkruan deklaratën ndërkombëtare “Brighton Plus Helsinki” për barazi gjinore në sport
Me qëllim promovimin dhe fuqizimin e rolit të gruas brenda dhe jashtë fushës sportive, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe federatat sportive vendore kanë nënshkruar deklaratën ndërkombëtare “Brighton Plus Helsinki”, dokument që synon avancimin e barazisë gjinore në sport në nivel global.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, e vlerësoi këtë akt si një moment historik për sportin e Kosovës duke theksuar se përmes kësaj nisme po ndërmerret një hap i rëndësishëm drejt garantimit të përfshirjes së grave në sport, si instrument i barazisë dhe unifikimit.
“Ky nënshkrim është vetëm fillimi i një pune të përbashkët për të krijuar politika të reja që sigurojnë unifikimin gjinor në sport”, u shpreh Krasniqi.
Në ceremoni mori pjesë edhe Annamarie Phelps, kryetare e Sekretariatit të Mbretërisë së Bashkuar dhe bashkëkryesuese e Komitetit Ekzekutiv Global të “IWG Women and Sport”. Ajo theksoi se Kosova ka një numër të madh të grave të suksesshme në sport dhe se tani është koha që institucionet udhëheqëse të sportit të tregojnë vullnetin e tyre për t’u dhënë grave hapësirën e merituar.
“Ky hap tregon se Komiteti Olimpik i Kosovës ka përkushtimin e nevojshëm për ta bërë barazinë gjinore një element thelbësor të së ardhmes së sportit”, deklaroi Phelps.
Ndërsa Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, vuri në pah mbështetjen e ministrisë për nisma të tilla.
“Angazhimi për gruan në shoqëri është vlerë demokratike. MKRS do të mbështesë çdo iniciativë që fuqizon dhe promovon barazinë gjinore në sport”, theksoi ai.
Përveç Komitetit Olimpik të Kosovës dhe federatave sportive, deklarata “Brighton Plus Helsinki” u nënshkrua edhe nga organizata joqeveritare që merren me të drejtat e grave si dhe universitete nga vendi duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt një sporti më gjithëpërfshirës dhe të barabartë në Kosovë.
