Opinion: Mashtrimi politik i Zenun Elezajt me “lejen e xhamisë” në zonë arkeologjike
Nga: Kosova.info
Në Komunën e Klinës po zhvillohet një prej skandaleve më të rënda institucionale të viteve të fundit. Kryetari Zenun Elezaj, në mënyrë të heshtur dhe të paqartë, ka dhënë leje për ndërtimin e një xhamie gjigante që sipas dokumenteve zyrtare konsiderohet si më e madhja në Kosovë në një lokalitet me vlera të jashtëzakonshme arkeologjike dhe historike, ku jetojnë kryesisht shqiptarë të besimit katolik.
Në këtë zonë, arkeologët kanë dokumentuar vazhdimisht gjurmë të qytetërimeve të lashta ilire, themele kishash, mozaikë dhe artefakte të rralla përfshirë një kryq bronzi që dëshmon për trashëgiminë e pasur të rajonit. Megjithatë, pavarësisht këtyre fakteve, komuna e udhëhequr nga Zenun Elezaj ka lëshuar leje ndërtimi për një objekt fetar monumental, në një vend ku komuniteti mysliman përbëhet nga vetëm 20–30 familje.







Mashtrimi dhe kontradiktat e kryetarit
Fillimisht, Elezaj mohoi publikisht se kishte dhënë ndonjë leje të tillë. Vetëm pas publikimit të dokumenteve nga Kosova Info, ai u detyrua ta pranojë ekzistencën e vendimit, duke thënë se “leja është dhënë para dy muajsh”. Kjo kontradiktë ka zbuluar fytyrën e vërtetë të një veprimi të kalkuluar politikisht, një manovër për të manipuluar ndjeshmëritë fetare dhe për të siguruar vota në prag të fushatës zgjedhore.
Pas publikimit të shkrimit tonë, Instituti i Trashëgimisë Kulturore të Kosovës reagoi zyrtarisht, duke obliguar komunën që ta pezullojë vendimin për ndërtim. Mirëpo, siç dëshmohet nga dokumentet që ka siguruar redaksia jonë, ky pezullim është vetëm i përkohshëm, dhe jo anulim, siç po mundohet ta paraqesë vetë kryetari Elezaj në komunikimet e tij me qytetarët.

Dy fytyrat e një kryetari
Në komunikimet me komunitetin katolik të zonës, Zenun Elezaj po mundohet ta paraqesë veten si “garant” të paqes ndërfetare, duke u premtuar se xhamia “nuk do të ndërtohet kurrë” dhe se vendimi është anuluar.
Por paralelisht, në fshatrat me shumicë myslimane, ai po përdor një narrativë tjetër: se vendimi është “vetëm i pezulluar përkohësisht” dhe se ndërtimi do të rifillojë sapo të merret aprovimi përfundimtar nga Instituti Arkeologjik.
Ky standard i dyfishtë, i dokumentuar nga burime të shumta dhe nga vetë dokumentet komunale, tregon për një mashtrim politik të qëllimshëm, ku feja dhe ndjeshmëritë e qytetarëve po përdoren si instrumente për përfitime elektorale.
Shkelje ndaj trashëgimisë dhe harmonisë ndërfetare
Askush nuk është kundër ndërtimit të xhamive apo objekteve të tjera fetare aty ku ka nevojë reale. Por në këtë rast, ndërtimi i një xhamie gjigante në një fshat me popullatë kryesisht katolike, mbi një zonë të mbrojtur arkeologjike, është veprim që bie ndesh me logjikën, me ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe me parimet e bashkëjetesës ndërfetare që Kosovën e kanë karakterizuar ndër shekuj.
Vendime të tilla të pamatura dhe të dyshimta institucionalisht dëmtojnë jo vetëm vlerat historike të vendit, por edhe kohezionin social mes komuniteteve.
Kërkohet hetim dhe transparencë
Kosova Info posedon dokumentet që dëshmojnë qartë se leja për ndërtimin e xhamisë është dhënë dhe vetëm pezulluar përkohësisht, në pritje të verifikimeve arkeologjike. Prandaj, akuzat e kryetarit Elezaj për “shpifje” janë të pabazuara dhe përbëjnë tentativë për ta frikësuar median e lirë.
Në një vend demokratik, ku transparenca dhe llogaridhënia janë shtyllat e qeverisjes, një rast i tillë kërkon hetim nga organet e drejtësisë dhe reagim nga institucionet shtetërore për mbrojtjen e trashëgimisë. Nuk mund të lejohet që interesat elektorale të një individi të rrezikojnë trashëgiminë kombëtare dhe harmoninë ndërfetare të një komuniteti.
Rasti i Zenun Elezajt nuk është më çështje urbane apo fetare, është një test për demokracinë lokale dhe për integritetin institucional në Kosovë.
Nëse heshtim përballë këtij mashtrimi, nesër çdo vendim i paligjshëm do të fshihet pas premtimeve fetare dhe kalkulimeve elektorale.
Kryetari duhet të jetë burrë i fjalës dhe jo njeri që flet me dy zëra, një për katolikët dhe një tjetër për myslimanët. Kosova meriton udhëheqës që mbrojnë trashëgiminë dhe qytetarinë, jo ata që luajnë me ndjenjat e popullit për një mandat më shumë./Kosova.info/
