Rama: Kërcënimi i Kurtit ndaj qytetarëve është skandal shtetëror

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti duke i cilësuar ato si kërcënim të hapur ndaj qytetarëve dhe demokracisë në vend.

Rama tha se askush nuk ka të drejtë t’i frikësojë qytetarët me buxhetin e tyre duke theksuar se paratë publike nuk janë pronë e ndonjë partie apo individi, por të popullit të Kosovës.

“Kurti po i përdor investimet shtetërore si mjet shantazhi elektoral duke u përpjekur ta blejë vullnetin e njerëzve me para publike. Kjo është e turpshme, e rrezikshme dhe në kundërshtim me çdo parim demokratik,” deklaroi Rama.

Ai shtoi se si kryetar i Prishtinës nuk do të heshtë përballë mentalitetit autokratik që, sipas tij, synon të ndajë qytetarët në “tanët” dhe “të tjerët”.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë për çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë partiake, sepse zhvillimi nuk vjen nga kërcënimi, por nga puna e ndershme. Kushdo që e përdor buxhetin e shtetit për të ndëshkuar apo shpërblyer votues, e ka humbur të drejtën morale për të udhëhequr,” përfundoi Rama. /Kosova.info/


Go to TOP