Haziri i përgjigjet Kurtit: Mjerë ata që punojnë për një proces zgjedhor e jo për një gjeneratë!
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili kishte bërë thirrje që të mos votohen kryetarët “që nuk dinë të punojnë mirë apo që vjedhin”.
Në një reagim publik, Haziri i është përgjigjur Kurtit duke e akuzuar se kryetari aktual i Gjilanit, që vjen nga radhët e LVV-së, jo vetëm që nuk ka punuar gjatë katër viteve të fundit, por e ka degraduar qeverisjen lokale.
“Thirrje me vend. Po ia kujtojmë pra që ky i Gjilanit, në katër vitet e fundit, lëre që s’ka punuar asgjë, por qytetit tonë ia ka sjellur epitetet më të këqija duke e shndërruar Komunën në një çiflig kunatash, balldëskash, baxhanakësh, dajallarësh e dostash,” ka shkruar Haziri.
Ai shtoi se pushteti duhet të ndërtohet për breza e jo për përfitime të përkohshme politike:
“Mjerë ata që punojnë për një proces zgjedhor e jo për një gjeneratë!”. /Kosova.info/
