Gërvalla apelon diasporës: Dërgoni fletëvotimet deri më 8 nëntor – çdo votë është vendimtare për Kosovën

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë një thirrje publike për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar për të votuar me postë në balotazhin e zgjedhjeve komunale të vitit 2025.

Në një postim drejtuar mërgatës, Gërvalla ka kujtuar se raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 9 nëntor, në disa komuna të Kosovës, përfshirë Mitrovicën, Prishtinën, Pejën dhe Gjakovën, ku do të vendoset përfundimisht se kush do të udhëheqë komunat në katër vitet e ardhshme.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithë votuesve nga diaspora që të dërgojnë zarfin e tyre me postë më së voni deri më 8 nëntor, në mënyrë që votat e tyre të mbërrijnë me kohë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

“Të dashur vëllezër dhe motra, të nderuar mërgimtarë, sigurohuni që KQZ-ja ju ka dërguar me kohë zarfin me fletëvotimin. Për të gjitha detajet e tjera, ndiqni linkun https://kqz-ks.org/si-te-votoni-permes-postes/ ose kontaktoni me KQZ-në në Viber/WhatsApp përmes numrit +38346610061,” ka shkruar Gërvalla.

Në fund të mesazhit të saj, ministrja ka theksuar rëndësinë e çdo vote nga diaspora duke e cilësuar atë si të domosdoshme për zhvillimin e komunave dhe të gjithë Kosovës.

“Secila votë e juaja është e rëndësishme jo vetëm për zhvillimin e komunës tuaj, por edhe për zhvillimin e të gjithë Kosovës. Faleminderit shumë për mbështetjen tuaj e mirëupafshim në Kosovë,” ka përfunduar ajo. /Kosova.info/


Go to TOP