Edhe një herë për Lidhjen Demokratike të Kosovës

Në këtë gjendje dhe nëse do të ketë zgjedhje, Lumiri duhet të dalë nëpër tërë Kosovën për ta ndërtuar një listë të re nga njerëz eminentë dhe burimorë të LDK-së, nga njerëz të cilët e kanë mbajtur gjallë partinë kur ishte e rrezikshme dhe falë tyre, sot ende është ruajtur baza e elektoratit nëpër terren. Partia e tashme, nuk mund të fitojë me klikën aktuale, që nuk përfaqëson as dije, as histori, as vizion dhe as shpresë për partinë

Shkruan: Murteza OSDAUTAJ

Seanca e paradoditshme e Parlamentit të Kosovës dhe deklarimet e politikanëve pas seancës, ishin një shpërfaqje e labirinthit në të cilin janë futur të gjitha partitë politike shqiptare në Kosovë. Të lidhura të gjitha për kauzën e tyre të madhe ‘Jo Albini’ dhe ‘Të gjithë kundër Albinit’, ato, në të vërtetë, nuk arritën të ndërtojnë një kauzë të tyre, që do të paraqiste një opsion të zgjidhjes dhe një hapësirë në të cilën votuesit e tyre,por edhe populli i Kosovës, do të mund të shpresonin për më mirë.

Të përbëra të gjitha nga kasta pasanikësh, të cilët tashmë kanë siguruar mirëqenie edhe për gjeneratat e stërnipërve të tyre, pastaj të përbërë nga karrieristë dhe profiterë të pangopur, të zaptuara nga njerëz që ideal të vetëm e kanë mbetjen në pushtet, pasurimin dhe tenderët milionësh të shtetit, si dhe të tmerruar nga përpjekja e Kurtit që t’ua mbyllë këto burime, të gjitha partitë kanë rënë në një lloj abysi, nga i cili zor që mund të dalin prej tij. Këto oligarki politike, për shumë vite, nuk përfaqësojnë idealet e themeluesve dhe të popullit të tyre dhe nuk i përshtaten asnjë ideologjie, përveç asaj të plaçkitjes së tokave, resurseve dhe parave të shtetit. E shkëputur nga populli dhe nga nevoja dhe pritjet e tij, krejt kjo klasë politikanësh ka degraduar dhe është prishur në mënyrë të pariparueshme.

Në këtë lloj abysi është dhe po futet ngadalë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Strukturat e reja të saj, e kanë përmbysur thuaja në tërësi, ideologjinë themelore të partisë, e cila kishte të bënte me shtetin e lirë e të drejtë, kombin, familjen, orientimin perëndimor dhe euroatlanitik, si dhe perëndimorizimin e shoqërisë kosovare. 

Kryesia aktuale e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më shumë është marrë me ‘pastrimin’ e partisë nga gjenerata e vjetër e themeluesve të partisë, se sa është marrë me përforcimin dhe ndërtimin e ideologjisë bazë të saj. Kryesia e kësaj partie me disa përjashtime, e kam thënë edhe herëve tjera, është një grup të frustruarish dhe profiterësh, të cilët në mënyrë të dëshpëruardhe pa dhënë asnjë kontribut, kërkojnë kthimin e besimit popullor, të cilin e gëzonte partia sa ishte gjallë presidenti Rugova, deri në kohën kur përfaqësuesit e kësaj partie i zgjodhën karriget si mjet komunikimi të ndërsjellë. Po këta profiterë, më shumë janë të interesuar për ruajtjen e interesave të tyre familjare, biznesore dhe pasurore, se sa në ndonjë mënyrë, kanë bërë dhe bëjnë përpjekje që ta ngrejnë rejtingun dhe besueshmërinë e partisë te elektorati i saj. 

Të ngujuar në vorbullën e luftës së brendshme, të paaftë për t’i sanuar pasojat katastrofale që partisë ia shkaktoi Isa Mustafa me klikën e tij, të frikësuar deri në palcë se hyrja në cilindo koalicion mund t’i shkatërrojë ata dhe partinë, këta njerëz kanë mbetur në gjendjen e gramafonit të prishur, duke kukatur dhe duke kompensuar paaftësinë e tyre, mllefin e tyre dhe inatin e tyre për mbetjen e përhershme në vendin e tretë. Duke i ditur pasojat e koalicionit me PDK-në dhe duke mos e pranuar statusin e të dytit në një koalicion me VV-në, LDK-ja nuk po arrin që të paraqitet me një alternativë të sajën dhe nuk po arrin tash disa vite ta rindërtojë kauzën e saj të rrënuar politike. Kjo Kryesi dhe këta deputetë, e kanë futur partinë në batak dhe nga aty as edhe një mrekulli nga Zoti nuk mund ta nxjerrë.

Në këtë gjendje dhe nëse do të ketë zgjedhje, Lumiri nëse do diçka më shumë, duhet të dalë nëpër tërë Kosovën për ta ndërtuar një listë të re nga njerëz eminentë dhe burimorë të LDK-së, nga njerëz të cilët e kanë mbajtur gjallë partinë kur ishte e rrezikshme dhe falë tyre, sot, ende është ruajtur baza e elektoratit nëpër terren. Partia e tashme nuk mund të fitojë me klikën aktuale, që nuk përfaqëson as dije, as histori, as vizion dhe as shpresë për partinë. Partia është gllabëruar nga një grusht profiterësh ekonomikë dhe politikë. Janë ata që i përdorin emrat e të vrarëve në familjet e tyre, ose histori familjare, si dhe janëasi personash që për mbijetesë përdorin histori personale që nuk kanë të bëjnë me partinë dhe vizionin e saj. Janë akëcilët njerëz,që kanë gjetur strehë në LDK kur subjektet e tyre shuheshin si fluska sapuni. Janë ata persona, që përmes strukturave të degraduara të LDK-së, sidomos në kohën e Isa Mustafës, kanë mbërrijtur të futen brenda saj dhe të zhvillojnë karrierën e tyre politike, gjithnjë duke e patur parasysh në rend të parë, interesin e tyre personal.

Shembulli më eklatant ishte Isa Mustafa. Me ardhjen e tij në parti, e shkatërroi atë së brendshmi, duke e bërë veten dhe partinë instrument, vazal dhe të nënshtruarën e PDK-së. Shkuarja e tij duket që nuk shkaktoi asnjë ngritje të LDK-së. Në LDK, thjeshtë, u instaluan disa pasardhës të Isa Mustafës, tëcilët nga përvojat e tmerrshme të koalicioneve, luajnë rolin e strucit, duke mos e pasur karizmin për ta ngritur votën e partisë dhe duke mos e poseduar guximin për të ndërmarrë hapa tjerë në favor të ngritjes së partisë, apo ndërtimit të kauzave të reja politike dhe kombëtare.

Kjo parti, sot përfaqësohet nga një grumbull njerëzish që ngjajnë me parazitët. Nga një grumbull i njerëzve të pasuruar nga shërbimet e fëlliqura që me vite i bënë argat PDK-së dhe politikave të saj mafioze, gllabëruese e plaçkitëse.

Lidhja Demokratike e Kosovës në vend se t’i fryjë fulqinjtë duke bërtitur e duke e sharë Albin Kurtin, duhet t’i çojë bythtë dhe t’i zgjedhë përfaqësuesit e njëmendët të saj, të cilët edhe pse të hedhur e të degraduar, të harruar dhe të lënë anash, do ta përfaqësojnë dhe do t’i çojnë lartë idealet politike, kombëtare dhe humaniste të partisë.

Me strukturën e tashme të deputetëve, me dy tre përjashtime, dhe me strukturën e tashme të udhëheqjes së saj, LDK-ja nuk do të jetë në gjendje që të kthehet në ditët e saj kur përfaqësonte synimet shekullore politike, kombëtare, kulturore dhe humane të popullit të Kosovës.

Deklaroj publikisht se nuk do ta votoj asnjërin nga deputetët e tashëm të kësaj partie. Ata nuk përfaqësojnë vizionin e LDK-së burimore dhe nuk e përfaqësojnë idealin dhe ideologjinë e LDK-së së fillimit. Ata nuk më përfaqësojnë mua dhe njerëzit me të cilët e kemi mbajtur gjallë këtë parti në kohët më të vështira. Ky shkrim, nuk tregon se unë jam kundër partisë time. Ky shkrim flet për frustrimin dhe zhgënjimin tim njerëzor e politik, si dhe për zhvillimet që po ndodhin në parti. Në fund të fundit, si një kontribuues i saj në kohë të vështira, e kam të drejtën që të kërkoj ruajtjen dhe mbijetesën e saj, si mbrojtëse e vlerave më të mira kombëtare, kulturore dhe politike të popullit shqiptar të Kosovës.

Në fund të fundit, e kam të drejtën që parazitëve aktualë të partisë, t’ua them troç mendimin tim për ta dhe për punën e tyre të rrënuesve të heshtur të partisë. Kjo që shkrova sot, është vetëm një kujtesë për njerëzit e kësaj partie dhe për vlerat e saj,të cilat duhet të kultivohen në një mënyrë tjetër.

Go to TOP