Ambasadori Miftari takon Papën Leon XIV: Kryqi i Kosovës, simbol i sakrificës dhe bekim për paqe
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari, ka zhvilluar një takim të veçantë me Atin e Shenjtë, Papën Leon XIV.
Në këtë takim të ngrohtë e plot respekt, ambasadori Miftari theksoi rëndësinë e besimit, dashurisë dhe vlerave humane që bashkojnë popujt. Ai i shprehu Papës mirënjohjen dhe respektin e thellë të popullit të Kosovës duke e falënderuar për kujdesin e vazhdueshëm që Selia e Shenjtë ka treguar ndaj vendit tonë.
Në shenjë simbolike, ambasadori Miftari i dhuroi Atit të Shenjtë një kryq në filigran, si shprehje e sakrificës së popullit të Kosovës për liri, paqe dhe besim.
Papa Leon XIV e pranoi dhuratën me mirënjohje duke dërguar bekimin e tij të përzemërt për popullin e Kosovës dhe për rrugëtimin e saj në paqe, harmoni e prosperitet. /Kosova.info/
