Pas publikimit të videos, policia hakmerret ndaj qytetarit që i filmoi ata

Pas publikimit të videos ku shihej një veturë policore duke parakaluar në vijë të plotë pa asnjë sinjalizim, Policia e Kosovës ka gjobitur qytetarin që e kishte filmuar rastin, raporton Kosova.info.

Në procesverbalin e gjobës, të cilin e ka siguruar redaksia jonë, thuhet se dënimi është bërë “nga video-incizimi i siguruar nga rrjetet sociale (Facebook)”, ku sipas policisë, qytetari shihet “duke vozitur me 140 km/h në rrugën ‘Llapi’, ku kufiri i lejuar është 60 km/h”.

Në të njëjtin dokument, policët kanë përmendur se qytetari “më herët ishte gjobitur gjatë kryerjes së një shkeljeje tjetër” dhe se “nuk posedon patentë-shoferin me vete”. Ai, sipas procesverbalit, është udhëzuar të paraqitet në stacionin policor për ta dorëzuar patentën.

Por ajo që bie në sy, sipas burimeve të Kosova.info, është fakti se gjoba është lëshuar disa orë pasi videoja e shkeljes nga vetë policët u publikua në rrjetet sociale. Kjo ka ngritur dyshime serioze se masa ndaj qytetarit është një reagim ndëshkues ndaj publikimit të pamjeve.

Në pamjet e publikuara më herët, të cilat kanë qarkulluar gjerësisht në Facebook, shihet qartë një veturë policore duke parakaluar në vijë të plotë, pa drita rrotacioni dhe pa arsye urgjente. Qytetari që e regjistroi videon u ndalua menjëherë më pas nga e njëjta patrullë dhe u gjobit, ndonëse në incizim nuk shihet ndonjë shkelje nga ana e tij.

https://www.facebook.com/share/v/15q3YzRzPG

Kosova.info ka kontaktuar zyrtarë të Policisë së Kosovës për koment, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë përgjigje./Kosova.info/

Go to TOP