Sindikata e Punëtorëve të RTK-së kërkon veprim urgjent nga Kuvendi për zgjidhjen e krizës financiare
Kryesia e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), e përbërë nga kryetari Gëzim Bimbashi, nënkryetari Blerim Ruhani dhe anëtarët Fisnik Durguti e Rabit Osmani, ka zhvilluar sot një takim me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha.
Gjatë takimit, përfaqësuesit sindikalistë e informuan z. Basha në detaje për situatën e rëndë në transmetuesin publik duke theksuar mungesën e buxhetit dhe pasojat që kjo ka sjellë në vonesat e pagave për mbi 700 punonjës të RTK-së.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, shprehu mbështetjen e tij për RTK-në, por theksoi se mbetet e paqartë nëse të gjitha subjektet politike ndajnë të njëjtin vullnet për ta zgjidhur këtë çështje. Ai njoftoi se në mbledhjen e nesërme të Kryesisë së Kuvendit me përfaqësuesit e partive politike do të kërkojë urgjentisht formimin e trupave të Kuvendit, për të mundësuar adresimin sa më të shpejtë të krizës.
Në fund të takimit, Kryesia e SPERTK-së u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike që të tregojnë përgjegjësi institucionale dhe të kontribuojnë në tejkalimin e kësaj gjendjeje, ku përveç rrezikimit të pagave, vihet në pikëpyetje edhe vazhdimësia e transmetimit publik.
Sindikata kërkon nga grupet parlamentare, përfaqësuesit politikë në Kuvend, si dhe nga menaxhmenti e Bordi i RTK-së, që të veprojnë me urgjencë për të siguruar stabilitetin financiar dhe funksional të transmetuesit publik të vendit. /Kosova.info/
