Në Drenas u mbajt Edicioni XII i manifestimit letrar “Vjeshta dhe Vargjet” në nderim të poetit Rifat Kukaj
Në Drenas u mbajt sot Edicioni XII i manifestimit letrar “Vjeshta dhe Vargjet”, organizuar nga Asociacioni i letrarëve dhe artistëve “Art Club Rifat Kukaj”, në kujtim të poetit të njohur Rifat Kukaj. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Bibliotekës së Shkollës së Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci” në Drenas, me pjesëmarrje të krijuesve letrarë nga Kosova dhe Shqipëria.
Manifestimi nisi me interpretimin e himnit “Baresha”, me tekst të poetit Rifat Kukaj dhe muzikë të kompozitorit Rexho Muliqi. Fjalën hyrëse e mbajti Izet Abdyli, kryetar i “Art Club Rifat Kukaj”, i cili shpalosi rrugëtimin dhe historikun e këtij manifestimi nga edicioni i parë e deri te ai i dymbëdhjetë.
Në kuadër të aktivitetit u mbajt edhe tryeza tematike kushtuar krijimtarisë letrare dhe studimore të shkrimtarit Daut Demaku. Me kumtesa për veprën e tij u paraqitën kritiku letrar Nexhat Rexha, Dr. Kosovare Krasniqi dhe shkrimtari Bedri Tahiri.
Po ashtu, u zhvillua ora letrare “Rifat Kukaj”, ku pas vlerësimit të 58 poezive të pranuara në konkursin anonim, juria në përbërje të Emin Eminit, Bedri Tahirit dhe Isuf Hoxhës ndau çmimet:
Vendi i parë: Zymer Kodra (Lipjan) me poezinë “S’kam kohë për kohën”
Vendi i dytë: Zanë Memeti (Gostivar) me poezinë “Mikrokozmosi pa qendër”
Vendi i tretë: Ramë Oraca (Podujevë) me poezinë “Lulkuqet e mermerta”
Çmimi motivues për të rinj: Amelia Mustafa (Klinë) me poezinë “Pendë e artë”
Ndërsa Çmimi për vepër jetësore në krijimtari iu nda shkrimtarit të njohur Daut Demaku, për kontributin e tij të çmuar në fushën e letërsisë dhe edukimit.
Manifestimi u mbështet financiarisht nga donatorët Al Trade, me drejtor Avdi Morina, dhe NP Gruda, me drejtor Enver Gruda, të cilëve organizatorët u shprehën mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme ndaj kulturës dhe letërsisë shqiptare. /Kosova.info/
