Topanica: Për krizën institucionale, përgjegjësia bie mbi Kurtin – epilogu i tij mund të përfundojë siç ka nisur, me protesta
Publicisti Imer Topanica ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend duke e cilësuar kryeministrin Albin Kurti si përgjegjësin kryesor për krizën institucionale që po kalon Kosova.
Sipas Topanicës, sjellja destruktive e Kurtit ndaj kundërshtarëve politikë, gjuha përjashtuese dhe arroganca e vazhdueshme e tij kanë çuar vendin drejt një bllokade të pashmangshme institucionale.
“Hisja më e madhe për krizën institucionale bie mbi Kurtin. Sjellja destruktive e tij kundrejt oponentëve politikë, gjuha përjashtuese e kontaminuar me ofendime dhe sjellje arrogante, s’ka pasur si të prodhojë një rezultat tjetër veç këtij që po e shohim sot,” ka shkruar ai.
Topanica ka kritikuar gjithashtu edhe opozitën duke thënë se ajo ka dështuar në çdo formë të ushtrimit të presionit politik dhe publik.
“Ish opozitarët e deridjeshëm nuk shëmbëllejnë fare në politikanë. Nuk e di a iu kanë mbetur neurone të shëndosha, por të kalohet gjithë kjo periudhë pa nxitur kurrfarë presioni publik, është e pabesueshme deri në absurd,” ka theksuar ai.
Publicisti ka parashikuar se zgjedhjet e parakohshme janë pothuajse të pashmangshme duke shtuar se për “gënjeshtrën e përsëritur” të Kurtit se “i kemi numrat për qeverinë”, qytetarët duhet të reagojnë fuqishëm.
Në përmbyllje, Topanica paralajmëron se fundi politik i Kurtit mund të ngjasojë me fillimin e tij: “Prologu i këtij njeriu është shkruar nëpërmjet protestave dhe me gjasë, edhe epilogu do të jetë i ngjashëm.” /Kosova.info/
