ShKA “Qamili i Vogël” organizon Festivalin e Këngës Burimore në Prishtinë – hyrja falas për të gjithë adhuruesit e muzikës shqipe
Rapsodi dhe drejtori i Shoqërisë Kulturo-Artistike “Qamili i Vogël”, Shaban Baksi, ka njoftuar për një ngjarje të veçantë kulturore që do të mbahet në kryeqytet.
Më 25 tetor 2025 duke filluar nga ora 17:00, në Sallën e Teatrit “Dodona” në Prishtinë, ShKA “Qamili i Vogël” do të shfaqë një program kulturo-artistik të pasur, në kuadër të aktivitetit që mban titullin: “Festivali i Këngës Burimore në Prishtinë”.
“Të nderuar adhurues të këngës së mirëfilltë shqipe, ju ftojmë të merrni pjesë në këtë spektakël të kulturës sonë kombëtare. Hyrja është falas dhe të gjithë jeni të mirëpritur,” ka deklaruar Shaban Baksi.
Ky festival synon të ruajë dhe promovojë trashëgiminë muzikore shqiptare duke sjellë në skenë këngë të vjetra burimore, instrumentistë dhe interpretime të rapsodëve nga mbarë vendi.
Organizatorët kanë bërë të ditur se publiku do të ketë mundësi të shijojë një mbrëmje autentike shqiptare, ku arti, kënga dhe tradita do të ndërthuren në një atmosferë festive dhe patriotike. /Kosova.info/
