SHBA kërkon mbylljen e UNMIK-ut: Nuk ka krizë sigurie në Kosovë, është koha për tranzicion

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Jeff Bartos, ka ripërsëritur qëndrimin e qartë të Uashingtonit se misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) duhet të mbyllet.

Në fjalën e tij gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit, Bartos tha se UNMIK-u ka përmbushur mandatin e vet dhe nuk ka më rol në qeverisjen e Kosovës. Ai theksoi se është koha të nisë procesi i transferimit të funksioneve të tij në institucione dhe agjenci më të përshtatshme.

“Nuk ka krizë sigurie në Kosovë dhe UNMIK-u nuk ka më rol në qeverisjen e vendit. Koha ka ardhur që të tërhiqet misioni. UNMIK-u është mision paqeruajtës pa paqeruajtës. Është momenti që të fillojë puna për transferimin e funksioneve nga UNMIK në struktura të tjera”, deklaroi Bartos.

Ai shtoi se mbajtja e takimeve të rregullta për UNMIK-un është e padobishme dhe se këto vetëm e dëmtojnë punën e institucioneve të Kosovës.

“Ky tranzicion është i tepërt. Takimet për UNMIK-un janë të padobishme dhe duhet të ndërpriten. Këto takime i dëmtojnë institucionet dhe nuk i shërbejnë më qëllimit fillestar të misionit”, tha përfaqësuesi amerikan.

Në fund të fjalimit të tij, Bartos theksoi se SHBA-ja vazhdon të inkurajojë Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensione dhe të punojnë drejt paqes e stabilitetit të qëndrueshëm, me njohjen reciproke si qëllim përfundimtar. /Kosova.info/


Go to TOP