Kina në OKB kritikon Kosovën për “veprime të njëanshme” në veri dhe paralajmëron për tensione në rajon

Përfaqësuesi i Kinës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Geng Shuang, ka kritikuar ashpër autoritetet e Kosovës duke i akuzuar për “veprime të njëanshme” në veri të vendit që, sipas tij, po nxisin tensione dhe po rrezikojnë stabilitetin rajonal.

Gjatë debatit mbi raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për situatën në Kosovë, diplomati kinez tha se zhvillimet në veri kanë qenë “të luhatshme” dhe se veprimet e Prishtinës “cenojnë të drejtat legjitime të komunitetit serb”.

“Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur me mburrje disa institucione jetike për serbët, kanë shënjestruar serbët me bastisje të dhunshme dhe tashmë kanë hapur edhe urën e re mbi lumin Ibër. Këto veprime shkelin të drejtat legjitime të serbëve dhe nxisin tensione,” deklaroi Shuang.

Ai i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që të “shmangë çdo veprim që mund të rrisë përplasjet” dhe të përmbahen nga hapat që, sipas tij, mund të përkeqësojnë situatën në terren.

Përfaqësuesi i Kinës theksoi se Pekini e mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por paralajmëroi se “thelbi i problemit qëndron te veprimet e njëanshme dhe të vazhdueshme të Kosovës, që krijojnë mosbesim ndërmjet komuniteteve”.

“Prania e Kombeve të Bashkuara në Kosovë është një garanci e fuqishme për zgjidhjen e çështjes,” tha ai duke nënvizuar se qëndrimi i Kinës “mbetet i qëndrueshëm dhe i pandryshuar”.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Shuang theksoi se Kina mbështet një zgjidhje të dyanshme përmes dialogut dhe kompromisit, me qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.

Kina është një nga vendet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP