Kur administrata e SHBA-së të “shan” me nënë
Shkruan: Fadil KAJTAZI
Historikisht, administratat amerikane i kushtojnë kujdes të veçantë komunikimit publik dhe, per kete arsye, zakonisht zgjedhin zëdhënës të aftë, te cilët dinë të përballen edhe me situata të pakëndshme. Po ashtu, politikanët amerikanë këshillohen ose trajnohen për mënyrat më adekuate te komunikimit me publikun përmes mediave, me theks se; pavarësisht situatave, zyrtarët duhet t’i përmbahen një kodi etik.
Rrallëherë ndodh qe zyrtarët amerikanë të dalin jashtë kontureve të këtij kodi etik ne komunikimin me median. Kur këto raste ndodhin, ato zakonisht përçojnë një mesazh të qartë: kupa është mbushur dhe durimi ka marrë fund.
Edhe ne Kosovë ka pasur raste kur struktura të caktuara politike e shtetërore janë përçmuar nga përfaqësues të SHBA-së me fjalë me fyese për standardet diplomatike. Me siguri ju kujtohet ambasadorja Mary Jacobson me shprehjen e famshme “e keni lli (dhi) punën”, si dhe ambasadori i fundit, miku i madh i Kosovës, Jeffrey Hovenier, kur tha: “Nëse dëshiron t’i bashkohesh një klubi, mos urino në derën para klubit.” Ata ndaj të cilëve janë drejtuar këto fjali, duket të jenë të vetëdijshëm se në çfarë gjendjeje dëshpëruese ndodhen.
Megjithatë, ndonjëherë zyrtarë të administratës amerikane përdorin një fjalor të ngjashëm edhe ndaj mediave. Rasti më i fundit është përgjigjja e sekretares për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. Në pyetjen e gazetës HuffPost se “kush e zgjodhi Budapestin si vendtakim për takimin Trump–Putin”, ajo u përgjigj: “Nëna jote e bëri.”
Të njëjtën përgjigje e dha edhe drejtori i komunikimit ne Shtëpinë e Bardhë, Steven Cheung: “Nëna jote.”
Një reagim i ngjashëm ishte regjistruar edhe dekada më parë nga Donald Rumsfeld, sekretar i Mbrojtjes së SHBA-së gjatë viteve 1975–1977. Në një konferencë shtypi, ndërsa ai fliste për problemet ndërkombëtare, u pyet nga një gazetar provokator i majtë se “si është nëna me shëndet”. Rumsfeld iu përgjigj: “Është shumë mirë, vetëm qe është e shqetësuar nga rreziku sovjetik”.
