Marrëveshje për skemën e granteve për arsimin dual

Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka nënshkruar marrëveshje për skemën e granteve për Arsimin Dual me Agjencinë për Zhvillim të Luksemburgut.

Në këtë ceremoni morën pjesë ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe drejtues të KIESA-s.

“Përkushtimi i përbashkët demonstron se politikat arsimore dhe zhvillimi industrial ecin krah për krah, shkathtësitë bëhen shtytës për një konkurrencë për të avancuar mësimin dual, këto institucione sigurojnë që sistemi i arsimit në Kosovë është më i përgjegjshëm, gjithëpërfshirës dhe më shumë i harmonizuar me ekonominë bashkëkohore”, ka thënë Erik Dietz, ambasadori i Luksemburgut në Kosovë.

“Në vitin e kaluar kemi filluar me zbatimin e skemës për inovacion, kemi vazhduar edhe me grant skemën e energjisë që është bashkëfinancim i plotë nga Luksemburgu në vlerë një milion euro. Thirrja është e hapur. Sot, sapo erdha këtu, lansova edhe listën preliminare të 51 përfituesve të rinj të grant-skemës për industrinë kreative”, ka thënë Zef Dedaj, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të KIESA-s.

Ndërkaq, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit theksuan rëndësinë mes arsimit dhe zhvillimit ekonomik, duke cilësuar edhe teknologjinë si një mjet kryesor. Në këtë ceremoni u nënvizua rëndësia e partneritetit ndërmjet institucioneve shtetërore, sektorit privat dhe sistemit arsimor për të zhvilluar fuqi punëtore të aftë dhe konkurruese.

Go to TOP