LDK në Zvicër reagon ndaj deklaratës së Besnik Berishës: Kush sulmon partinë në fushatë, nuk mund të pretendojë se është pjesë e saj

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Zvicër ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të avokatit Besnik Berisha, i cili kishte thënë se “LDK nuk ka krizë partnerësh, por krizë drejtimi” dhe se “po mungon kuptimi pse ekziston kjo parti”.

Në një reagim publik në emër të degës së LDK-së në Zvicër, anëtari i Kryesisë Qendrore, Skënder Shehu, thekson se këto deklarata nuk janë kritika të sinqerta, por “akte politike që përkojnë me retorikën e kundërshtarëve politikë”.

“LDK-ja nuk është në krizë ekzistence – është në fazën e një rikthimi të qëndrueshëm dhe të ndërtuar me përkushtim, strukturë dhe vizion. Kush e ndien veten pjesë të LDK-së, nuk e sulmon atë në mes të fushatës”, thuhet në reagim.

Shehu kujton se LDK ekziston sepse ekziston Kosova, dhe se kjo parti është themeli i demokracisë, lirisë dhe shtetformimit të vendit. Ai thekson se partia nuk është vend për “protagonistë personalë apo moralistë nga distanca”, por për kontribuues të përkushtuar.

“Në kohë fushate, kush nuk është me LDK-në, është kundër saj. Dhe kush hedh baltë mbi strukturën dhe lidershipin në këtë moment kritik, nuk mund të pretendojë më se është pjesë e saj”, përfundon reagimi.

Shehu nënvizon se Lidhja Demokratike e Kosovës po ecën përpara dhe se kush mbetet prapa, e bën këtë si zgjedhje personale, por pa të drejtë të flasë në emër të partisë. /Kosova.info/


Go to TOP