Avionët luftarakë turq do ta ruajnë Putinin gjatë fluturimit drejt takimit me Trumpin në Hungari

Presidenti rus Vladimir Putin pritet të takohet me Presidentin amerikan Donald Trump në Hungari, në një takim të rëndësishëm që synon t’i japë fund luftës në Ukrainë. Për shkak të ndalimeve në hapësirën ajrore evropiane, Putin do të detyrohet të ndjekë një rrugë të pazakontë, ndërsa gjatë fluturimit mbi Detin e Zi, avionit të tij do t’i bashkohen avionë luftarakë F-16 të Forcave Ajrore Turke.

Ky takim do të mbahet në kryeqytetin hungarez, Budapest, dhe shihet si një ngjarje e rrallë në një kohë kur Rusia përballet me izolim diplomatik në Evropë.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte njoftuar se më 16 tetor kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Putinin, dhe se të dy do të takohen personalisht në Hungari. Takimi në Budapest, një vend që njihet për qëndrimin më të afërt me Rusinë brenda Bashkimit Evropian, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Kryeministri hungarez Viktor Orbán e përshkroi takimin si “lajm të mrekullueshëm për të gjithë ata që janë në anën e paqes”. Ai shtoi se “përgatitjet kanë nisur dhe ne jemi gati për pritjen e liderëve amerikan dhe rus”.

Për shkak të sanksioneve, avionët shtetërorë rusë nuk mund të kalojnë përmes hapësirës ajrore të BE-së, prandaj udhëtimi i Putinit do të realizohet përmes Turqisë dhe Serbisë, për të mbërritur në Hungari. Kjo rrugë e gjatë e zgjat udhëtimin nga 1,500 në rreth 5,000 kilometra.

Sipas portalit të aviacionit AirLive, avionit presidencial rus “Flight No.1” do t’i ofrohet mbrojtje e plotë gjatë fluturimit mbi Detin e Zi nga F-16-të turke, të cilat do ta shoqërojnë deri në kufirin me Serbinë.

Ekspertët thonë se ky masiv sigurie është marrë për të parandaluar çdo “provokim me dronë ose raketa”. Takimi mes Putinit dhe Trumpit shihet si më shumë se një samit – një përpjekje për të vendosur një ekuilibër të ri diplomatik në arenën ndërkombëtare.

Go to TOP