Pas fitores ndaj Fulham Arsenal kthehet në krye të Premier League
Arsenal është rikthyer në vendin e parë të Premier League pas një fitore të ngushtë 1:0 ndaj Fulham, duke i dhënë fund serisë prej katër fitoreve radhazi të vendasve në “Craven Cottage”.
Skuadra e Mikel Arteta ka hyrë në ndeshje me presion, pasi Manchester City kishte fituar më herët dhe përkohësisht kishte kaluar në krye të tabelës.
Fulham e ka nisur më mirë, duke rrezikuar përmes Tom Cairney dhe Harry Wilson, ndërsa Arsenal e ka pasur të vështirë ta vendoste ritmin në pjesën e parë.
Riccardo Calafiori ka menduar se ka shënuar për “Topçinjtë” me një goditje të fortë, por goli është anuluar për pozitë jashtë loje.
Megjithatë, në pjesën e dytë, Arsenal e ka gjetur zhbllokimin: pas një goditje këndi të Bukayo Saka, Gabriel e ka prekur topin me kokë, ndërsa Leandro Trossard ka përfituar dhe ka shënuar nga afërsia.
Në vazhdim, gjyqtari ka akorduar një penallti për Arsenal pas ndërhyrjes së Kevin ndaj Saka, por pas shqyrtimit me VAR vendimi është anuluar.
Arsenal e ka menaxhuar avantazhin deri në fund dhe e ka regjistruar fitoren e dhjetë në tetëmbëdhjetë ndeshjet e fundit jashtë fushe. Me këtë sukses, skuadra e Arteta i ka dërguar mesazh të qartë kampionit në fuqi, Liverpool, që nesër mund të afrohet në një pikë me një fitore ndaj Manchester United.
Ndërkohë, Fulham ka zbritur në pozitën e katërmbëdhjetë dhe ka pësuar humbjen e tretë rresht në kampionat: hera e parë që ndodh kjo që nga dhjetori i vitit 2023.
