Dita Botërore e Menopauzës, Hargreaves kërkon ndërgjegjësim dhe mbështetje
Me rastin e Ditës Botërore të Menopauzës, ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë thirrje për ndërgjegjësim dhe mbështetje ndaj grave që kalojnë këtë fazë natyrale të jetës së tyre.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasadori Hargreaves theksoi se menopauza ndikon jo vetëm te gratë, por edhe te familjet, vendet e punës dhe komunitetet. Ai nënvizoi rolin e burrave si aleatë të rëndësishëm gjatë këtij procesi.
“Burra! Sot shënohet Dita Botërore e Menopauzës. Menopauza ka ndikime te gratë, familjet, vendet e punës dhe komunitetet. Si aleatë, ne mund të krijojmë hapësira ku gratë ndihen të para dhe të mbështetura, duke treguar ndjeshmëri, mirëkuptim dhe respekt”, tha ambasadori.
Ai gjithashtu theksoi se në Kosovë ende flitet pak për menopauzën dhe se është koha që të thyhet heshtja për këtë çështje, duke qëndruar bashkë për shëndet, dinjitet dhe barazi.
Në përkujtim të kësaj dite, stafi i grave në Ambasadën Britanike organizoi një seri diskutimesh joformale për stigmën që rrethon fazat e para-menopauzës, menopauzës dhe post-menopauzës.
“Grupi ndau këshilla për menaxhimin e simptomave dhe ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies fizike e mendore”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Britanike në Kosovë. /Kosova.info/
