Grenell pas protestës në Tiranë: Haga është jashtë kontrollit, kjo është ajo që ka bërë Jack Smith
Emisari i presidentit amerikan për misione të veçanta në botë, Richard Grenell, ka reaguar sërish pas protestës gjithëkombëtare të mbajtur sot në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një postim në platformën X, Grenell shkroi:
“Haga është jashtë kontrollit. Kjo është ajo që ka bërë Jack Smith” duke iu referuar ish-prokurorit special që ngriti aktakuzën ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Jack Smith, i cili aktualisht shërben si prokuror special në Shtetet e Bashkuara në rastin kundër ish-presidentit Donald Trump, kishte dhënë dorëheqjen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë në nëntor të vitit 2022.
Protesta e sotme në Tiranë mblodhi mijëra qytetarë nga mbarë trojet shqiptare, të cilët kërkuan drejtësi dhe lirimin e menjëhershëm të Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Grenell, i cili edhe më herët ka bërë thirrje për lirimin e ish-presidentit Thaçi, ka përsëritur qëndrimin e tij se ky burgim është i padrejtë dhe se procesi në Hagë po përdoret për qëllime politike.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së pretendon se ata kanë kryer krime lufte gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë, ndërsa mbrojtja ka theksuar vazhdimisht se procesi është i motivuar politikisht dhe bie ndesh me parimet e drejtësisë ndërkombëtare. /Kosova.info/
The Hague is out of control.
— Richard Grenell (@RichardGrenell) October 17, 2025
This is what Jack Smith did. https://t.co/H4x8bfTY2y
