Elezi: KQZ fillon numërimin e votave nga diaspora, mbi 29 mijë pako të aprovuara

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur procesin e numërimit të votave që i takojnë votimit jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale.

Fletëvotimet i përkasin periudhës së votimit përmes postës nga data 17 shtator deri më 11 tetor 2025, ndërsa janë tërhequr më 13 dhe 14 tetor nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme dhe nga kutia postare në Kosovë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se janë tërhequr gjithsej 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat janë nënshtruar procesit të vlerësimit. Nga to, 29,636 pako janë aprovuar, ndërsa 3,977 janë refuzuar.

“Arsyeja më e shpeshtë e refuzimit, në 3,660 raste, është mungesa e dëftesës së regjistrimit – një dokument unik që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja,” deklaroi Elezi.

Ai njoftoi gjithashtu për ecurinë e procesit të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), ku deri të premten në orën 16:00 aktivitetet janë përmbyllur në 30 komuna të vendit, përfshirë: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj, Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas, Vushtrri, Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë e Jugut dhe Podujevë.

“Sipas të dhënave të fundit, deri në orën 16:00 të ditës së sotme janë verifikuar rezultatet për 2,303 vendvotime për zgjedhjet e Kryetarëve të Komunave dhe për 2,308 vendvotime për Kuvendet Komunale. Nga gjithsej 5,142 kuti votimi, deri më tani janë procesuar 4,611,” shtoi Elezi.

Procesi i numërimit pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim deri në përmbylljen e plotë të rezultateve për të gjitha komunat. /Kosova.info/


Go to TOP