Begaj nga Tirana: UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës, askush s’e zhbën këtë trashëgimi heroizmi
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar në lidhje me protestën gjithëkombëtare që po mbahet sot në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Presidenti Begaj theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është themeli i lirisë së Kosovës dhe një ndër faqet më të lavdishme të historisë kombëtare shqiptare. Ai u shpreh se askush nuk mund të zhbëjë trashëgiminë e trimërisë, sakrificës dhe heroizmit të UÇK-së.
“UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës. Ajo është krenari e historisë sonë kombëtare. Askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi,” ka shkruar Begaj.
Protesta e sotme në Tiranë ka mbledhur mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare – nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e diaspora. Nën thirrjen “Drejtësi për çlirimtarët”, protestuesit janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” duke mbajtur pankarta me mbishkrime si: “Sot UÇK-ja, nesër e gjithë historia jonë”, “Ruajeni shtetin, nderoni sakrificën” dhe “Liri për çlirimtarët”. /Kosova.info/
