Surdulli: Pensionistët janë pasuria jonë e gjallë, do t’u kthejmë dinjitetin dhe përfshirjen aktive në jetën e komunës

Kandidat për kryetar të Komunës së Kamenicës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Shaip Surdulli, bashkë me disa kandidatë për delegatë të Kuvendit Komunal – Egzona, Visarin, Zejnën, Ismetin dhe Ibrën – ka zhvilluar sot një vizitë në Shoqatën e Pensionistëve të Kamenicës.

Gjatë takimit, Surdulli u prit me mikpritje dhe respekt të ndërsjellë nga kryetari i Shoqatës, Milit Thaqi, dhe nga një grup pensionistësh, të cilëve u shprehu mirënjohjen për kontributin shumëvjeçar ndaj komunës dhe vendit.

“Ishte nder dhe kënaqësi e veçantë për mua që sot isha në mesin e njerëzve që për dekada të tëra i kanë shërbyer kësaj komune me ndershmëri, përkushtim dhe sakrificë. Pensionistët janë gjenerata që kanë kaluar kohëra të vështira, por asnjëherë nuk janë dorëzuar,” u shpreh Surdulli.

Ai theksoi se vizita e tij nuk ishte vetëm një takim formal, por një shprehje falënderimi dhe respekti të thellë për atë që përfaqësojnë pensionistët.

Në fjalën e tij, kandidati i LDK-së prezantoi disa nga pikat kryesore të planit qeverisës për mbështetjen e pensionistëve, përfshirë:

Mbështetjen e Shoqatës së Pensionistëve me fonde të qëndrueshme;

Krijimin e qendrave ditore për të moshuarit;

Organizimin e aktiviteteve kulturore dhe shëndetësore në bashkëpunim me institucionet lokale;

Mundësinë e pushimeve për pensionistët në bregdet dhe qendra rehabilituese;

Renovimin e hapësirave të Shoqatës së Pensionistëve;

Ndërtimin e shtëpisë së pleqve me bashkëfinancim të komunës dhe Qeverisë së Kosovës.

“Pensionistët nuk do të jenë të harruar. Ata do të jenë pjesë aktive e jetës sonë shoqërore dhe institucionale. Do të dëgjojmë zërin e tyre dhe do t’i përfshijmë në vendimmarrje,” theksoi Surdulli.

Në fund, ai falënderoi për mikpritjen dhe për këshillat e ndara gjatë takimit, duke i ftuar të gjithë pensionistët dhe qytetarët e Kamenicës të bashkohen në rrugëtimin e tij politik.

“Me përulësi ju ftoj të më bashkoheni për një Kamenicë më të drejtë, më të kujdesshme dhe më afër qytetarit. Zoti e bekoftë Kamenicën dhe të gjithë njerëzit e saj,” tha ai në përmbyllje. /Kosova.info/


Go to TOP