Kajtazi: Kosova ka dy armiq të mëdhenj – Serbinë e përhershme dhe Albin Kurtin e përkohshëm
Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti për ardhjen e “mijëra dronëve kamikaz” nga Turqia në Kosovë duke e cilësuar këtë si manipulim dhe propagandë politike.
Në një postim në rrjetet sociale, Kajtazi ka thënë se Kosova sot përballet me “dy armiq të mëdhenj – Serbinë e përhershme dhe Albin Kurtin e përkohshëm” duke e quajtur Kurtin “uzurpator të shtetit”.
“Shifra ‘mijëra’ është manipuluese, pra e rrejshme. Ai nuk e specifikon numrin sepse këtë e han popullata analfabete funksionale prej 45 për qind, siç e cilësonte vetë ai dikur,” ka shkruar Kajtazi.
Sipas tij, deklaratat e Kurtit nuk përputhen me realitetin e sigurisë në vend duke kujtuar se hapësira ajrore e Kosovës kontrollohet nga Amerika përmes NATO-s. “Nëse Amerika, të cilën e lufton Kurti, do të donte, Kosova këta drone do t’i mbante në magazina,” shtoi ai.
Në fund, Kajtazi theksoi se Kosova duhet të luftojë në “dy drejtime” – kundër Serbisë si kërcënim i jashtëm dhe kundër “Serbisë së brendshme”, që sipas tij, është përfaqësuar nga veprimet e qeverisë së Kurtit. /Kosova.info/
