Berisha viziton fabrikën “IDEA Home” në Mushtisht: Premton mbështetje për bizneset vendore
Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Suharekës, Dardan Berisha, ka zhvilluar sot një vizitë në fabrikën e mobileve “IDEA Home” në Mushtisht, së bashku me kandidatin për Kuvend Komunal, Laninot Halitjaha.
Gjatë takimit me drejtuesit e fabrikës, Berisha u informua për proceset e prodhimit dhe sfidat me të cilat përballen bizneset vendore. Ai vlerësoi angazhimin e kompanisë për krijimin e vendeve të punës dhe kontributin e saj në zhvillimin ekonomik të komunës.
“Bizneset si ‘IDEA Home’ janë shembull i suksesit dhe përkushtimit lokal. Si kandidat për kryetar, do të jem zë dhe mbështetje për çdo prodhues vendor që punon me ndershmëri dhe vizion,” deklaroi Berisha.
Ai theksoi se programi i tij synon krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e ndërmarrjeve lokale, përmes lehtësirave administrative, promovimit të prodhimit vendas dhe bashkëpunimit të ngushtë mes komunës dhe sektorit privat. /Kosova.info/
