Jordi Alba do të tërhiqet nga futbolli në fund të sezonit

Ish-mbrojtësi i Spanjës dhe Barcelonës, Jordi Alba, ka njoftuar se do t’i japë fund karrierës së tij në fund të këtij sezoni në Major League Soccer, ku aktualisht luan me Inter Miami.

Alba, i cili i ishte bashkuar ekipit amerikan në vitin 2023, ka qenë pjesë e skuadrës së Lionel Messi, Sergio Busquets dhe Luis Suarez, ndërsa trajner i ekipit është një tjetër ish-lojtar i Barcelonës, Javier Mascherano.

“Ka ardhur koha për të mbyllur një kapitull me domethënie të madhe në jetën time”, ka thënë Alba në një video të publikuar në Instagram. “Kam vendosur t’i jap fund karrierës sime profesionale në përfundim të këtij sezoni. E bëj këtë me bindje të plotë, me qetësi dhe me lumturi”.

Tridhjetë e gjashtë vjeçari e kishte filluar karrierën e tij në akademinë e Barcelonës, por ishte larguar në moshë të re pasi ishte konsideruar shumë i vogël fizikisht. Ai ishte rikthyer në vitin 2012 nga Valencia për katërmbëdhjetë milionë euro, duke qëndruar te katalanasit për njëmbëdhjetë sezone.


Go to TOP