Sondazh: Ruzhdi Shehu (LDK) pritet ta fitojë Junikun pa balotazh

Një sondazh i realizuar nga Kosova.info në bashkëpunim me OJQ “Vullneti Rinor”, në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, tregon një epërsi të theksuar të kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ruzhdi Shehu, në garën për kryetar të Komunës së Junikut.

Rezultatet e sondazhit tregojnë se Shehu pritet ta fitojë garën që në raundin e parë, pa pasur nevojë për balotazh, me mbështetje mbi gjysmën e votuesve të anketuar.

Sondazhi është zhvilluar gjatë datave 26 shtator – 2 tetor 2025, me 380 të anketuar nga qyteti dhe fshatrat e Junikut. Procesi është kryer në terren dhe online, në bashkëpunim me OJQ “Vullneti Rinor”, duke respektuar standardet e anonimitetit dhe transparencës.

Sipas rezultateve, Ruzhdi Shehu gëzon përkrahje të gjerë në të gjitha lagjet dhe fshatrat e komunës, ndërsa Agron Kuçi (AAK) ruan një bazë të fortë elektorale tradicionale. Nga ana tjetër, Jetmir Tofaj (VV) ka fituar përkrahje kryesisht nga votuesit e rinj urbanë.

Sipas analistëve të Kosova.info, me këto përqindje LDK do ta siguronte fitoren pa balotazh në Junik, duke e konsoliduar pozicionin si forca dominuese politike në këtë komunë.

Ky sondazh është pjesë e serisë së matjeve që Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor” po realizojnë në të gjitha komunat e Kosovës në kuadër të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025./Kosova.info/

Go to TOP