Lladrovci: Incizimi është i falsifikuar, bëhet fjalë për shantazh – jam gati për debat publik
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas publikimit të një audio-incizimi nga “Vox Kosova” duke e cilësuar materialin si të falsifikuar dhe të përdorur për shantazh politik. Ai tha se incizimi është i njohur për të dhe se për të ka bërë shënim zyrtar në Polici duke kërkuar që organet kompetente të merren me rastin.
“Transkripti i publikuar ishte dialog i dy personave, ndërsa ne kemi qenë gjashtë. Pra, është falsifikim i qartë. Kërcënimet me këtë incizim i kam ditur moti, sepse në lokalin e incizuesit ua lëshonin qytetarëve për t’u dëgjuar zëri im duke thënë se ‘Lladrovci nuk guxon me na prek lokalin’, edhe pse ishte uzurpim”, deklaroi Lladrovci.
Ai theksoi se publikimi i këtij materiali është bërë me qëllim politik, për të ndikuar në procesin zgjedhor dhe për të devijuar vullnetin qytetar. “Ky është shantazh, e unë nuk shantazhohna. Dal në debat me Lirimin, para qytetarëve të Drenasit, për ta thënë të vërtetën. Në raport me ligjin kam qenë dhe jam i pastër, prandaj jemi komunë kampion,” shtoi ai.
Lladrovci po ashtu sqaroi se çështja e pronës që përmendet në incizim është në procedurë ligjore dhe se të gjitha veprimet e tij janë në përputhje me ligjin. Ai tha se çdo marrëveshje e tillë kalon nëpër negociata, miratim nga Kuvendi i Komunës dhe vlerësim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
“Kur flas për ‘investitorin potencial’ apo ‘fitimin’, nënkuptohet fitimi i komunës, jo personal. Komuna fiton mbi 10.600 metra katror. Ligji më mundëson të negocioj në interes të komunës dhe çdo vendim aprovohet nga Kuvendi”, shpjegoi ai.
Në fund, Lladrovci theksoi se është i vendosur të mbrojë dinjitetin e tij dhe interesin publik: “Nuk ka birë nane që më ndalë, më shantazhon e më devijon nga rruga e ligjit. Jam i betuar, nuk koritna, e kam obligim mbrojtjen e interesit dhe besimin qytetar.”
#Drenasi #RamizLladrovci #VoxKosova #Zgjedhjet2025 /Kosova.info/
