Hamiti: Qeveria e Vetëvendosjes bllokoi Prishtinën – qytetarët do ta votojnë sërish Përparim Ramën

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka akuzuar Qeverinë e Vetëvendosjes dhe kryeministrin Albin Kurti për bllokim të qëllimshëm të punës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, gjatë katër viteve të fundit.

Hamiti përmendi veçanërisht ministrat Hajrulla Çeko dhe Hekuran Murati duke thënë se ata, së bashku me Kurtin, “kanë bërë çmos për ta penguar zhvillimin e Prishtinës”, ndërkohë që tani kërkojnë votën e qytetarëve për Çekon.

“Për çka kërkojnë votë? Për ta katandisur Prishtinën, siç e kanë dërmuar Kosovën, tash nën sanksione evropiane dhe amerikane për fajin e politikave të Kurtit”, ka shkruar Hamiti.

Ai shtoi se deputetët e VV-së, Albin Kurti, Hekuran Murati dhe Hajrulla Çeko, “po i mbajnë kundërligjshëm postet ministrore, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.”

Sipas Hamitit, qytetarët e Prishtinës nuk do t’i mbështesin “bllokuesit”, por do të votojnë sërish Përparim Ramën, “që ka dije, përkushtim e vizion për ta bërë Prishtinën qytet të jetueshëm dhe metropol modern, siç e meritojnë qytetarët e Kryeqytetit dhe të Kosovës sonë të dashur.” /Kosova.info/


Go to TOP