PDK në Gjilan, Krasniqi: Rashiti njeriu i duhur i Gjilanit

Person me karakter të fortë dhe të vendosur në realizimin e projekteve, e cilësoi sot Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, kandidatin për kryetar të Gjilanit nga kjo parti, Riad Rashitin. Në tubimin elektoral në këtë qytet, Krasniqi tha se gjilanasit kanë para vetes jo vetëm një kandidaturë, por njeriun me plan për një komunë të zhvilluar në të gjitha fushat.

Kushdo që dëshiron të përjetojë zhvillim në Gjilan, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kërkoi që të votohet Riad Rashiti, kandidat për kryetar komune nga ky subjekt politik. Në tubimin elektoral, Krasniqi tha se Rashiti është njeriu i fjalës dhe e vetmja zgjidhje për të ardhmen e Gjilanit.

“E para, PDK del para qytetarëve të Gjilanit me një njeri të fjalës. Para jush vi me një njeri të punës dhe të karakterit të fortë, Riad Rashitin. Ai nuk është vetëm një kandidaturë, por njeriu me plan për Gjilanin dhe për familjet e kësaj komune. Riadi ka menduar për gjithçka: për infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë, shërbimet komunale, për të rinjtë dhe studentët, për gratë dhe të moshuarit, si dhe për sportin e kulturën”, tha Krasniqi

Nga ana tjetër, kandidati i PDK-së për kryetar të Gjilanit, Riad Rashiti u shpreh i bindur se qytetarët do ta vlerësojnë drejt alternativën më të mirë më 12 tetor. Ai premtoi zhvillim ekonomik, përfundimin e ndërtimit të stadiumit, ndërtimin e autostradës Gjilan-Prishtinë, ndërtimin e katër çerdheve të reja dhe investime mbi 195 milionë euro për projekte të tjera.

“Me mua si kryetar të Gjilanit, qyteti ynë do të ketë një drejtim të ri, me qeverisje profesionale dhe me ekspertë të të gjitha fushave. Do të kemi një qasje të plotë bashkëpunimi me të gjithë, pa përjashtim. Gjatë mandatit tonë katërvjeçar, Gjilani do të ndërtohet e zhvillohet përmes planifikimit të ri zhvillimor. Qendra e qytetit do të shndërrohet në një hapësirë ekologjike, do të vendoset rendi dhe ligji në ndërtim, me kontroll të rreptë mbi cilësinë dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Do të investojmë në renovimin e objekteve të vjetra, si dhe në ndërhyrje urgjente në rrugë dhe trotuare. Përmes zhvillimit ekonomik, do të krijojmë edhe një Drejtori të re për investime”, tha Rashiti.

Në përmbyllje të tubimit, PDK në Gjilan prezantoi edhe kandidatët për Kuvendin Komunal, të cilët premtuan angazhim në të mirë të qytetarëve.


Go to TOP